Banjska, një vit nga masakra/ Autori kryesor i sulmit terrorist në veri të Kosovës, i qetë në Serbi

schedule11:03 - 24 Shtator, 2024

schedule 11:03 - 24 Shtator, 2024

24 shtatori do të shënonte një ditë kritike për Kosovën, ku do të sprovohej policia e Kosovës dhe forca e NATO-s në terren, KFOR. Pak pas mesnatës së 24 shtatorit, policia e Kosovës do të niste forcën e parë të reagimit drejt urës në fshatin Banjskë të Zveçanit, që do të rezultonte me vrasjen e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

Një grup paramilitarësh serbë të kryesuar nga Milan Radojiçiç, që deri në atë kohë ishte edhe nënkryetar I Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, kishte nisur sulmin në very të Kosovës. Rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku mbetet i vrarë gjatë sulmit. Babai i tre fëmijëve, heroi më i ri i shtetit të Kosovës, u qëllua nga dy drejtime të ndryshme në afërsi të urës që të çon drejt manastirit të Banjskës. Grupi I Radojiçiç me veshje ushtarake ishte vendosur në Manastirin e Banjskës e përreth tij. Radojiçiç ishte sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në kërkim nga institucionet e Kosovës për përfshirje në vrasje.

Konfrontimi me Policinë e Kosovës vazhdoi gjatë ditës së 24 shtatorit. U plagosën Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi, policë të Kosovës. Forcat speciale qëlluan për vdekje tre serbë dhe manastiri u morr nën kontroll në orët e vona të së dielës. Shumica dërrmuese e grupit terrorist u largua përmes rrugëve malore për në Serbi. Sot, një vit pas Banjskës, Radojiçiç ka marrë përsipër sulmin ndërkohë që Perëndimi I bën presion Serbisë që ai të dalë para drejtësisë. Prokuroria speciale në Kosovë ka bërë zyrtarisht aktakuzë për grupin paramilitar serb ndërsa familja Bunjaku ka hapur dyert për ngushëllime.

25 shtatori u shpall ditë zie për Kosovën. Ambasadori amerikan Hovenier perkujtoi rreshterin Bunjaku.

“Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjen e tyre, dhe është pritshmëria jonë, që autorët dhe të gjithë ata që u përfshinë në atë krim të tmerrshëm të mbahen plotësisht përgjegjës.”

Presidentja Osmani theksoi se rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një here se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm.

“Se liria nuk ka çmim. Se Kosova është dhe do të mbetet e pandashme, e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm! Sot e përgjithmonë!”.

Rreshteri I vrarë kishte veshur uniformën në vitin 2001 dhe përballja me grupin e Radojiçiç ishte beteja e fundit e tij në uniformë. “Prej sot Afrimi është hero i secilit shqiptar, i secilit qytetar që e do Republikën e Kosovës”, do të deklaronte presidentja Vjosa Osmani në varrimin e Afrim Bunjakut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!