Banda e Met Kananit del sot para gjykatës për masën e sigurisë

schedule12:00 - 14 Maj, 2018

schedule 12:00 - 14 Maj, 2018

13 personat e ndaluar 2 ditë më parë, të njohur të gjithë si banda e Met Kananit, pritet të dalin sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurisë. Prokurorja e çështjes, Elisabeta Imeraj, ka kërkuar “arrest me burg” për të gjithë të ndaluarit, masë sigurie e vendosur tashmë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda.

Gjatë operacionit të përbashkët policor të koduar “Precizioni”, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe policia e shtetit vuri në pranga në disa qytete të vendit 13 shtetas. Së bashku me Met Kananin, kreu i dyshuar i grupit dhe 4 të tjerë që ndodhen aktualisht në burg në Turqi apo Maqedoni, shkon në 18 numri i personave të arrestuar si pjestarë të dyshuar të kësaj bande kriminale.

Këta persona vepronin si grup i strukturuar kriminal, për trafikimin e lëndëve narkotike. Veprimtarinë kriminale e ushtronin në Shqipëri dhe në vende të tjera, kryesisht ato të Bashkimit Europian.
Ka dyshime se ky grup kriminal vepronte në linjat e trafikimit të heroinës, Turqi – Greqi – vendet e BE, si dhe Turqi – Maqedoni – Shqipëri – vendet e BE.
Një tjetër aktivitet kriminal, i zbuluar nga hetimet ishte trafikimi i kokainës nga vendet e Amerikës Latine përmes vendeve të Ballkanit në Shqipëri dhe vendet e BE-së./abcnews.al