“Balta” ndaj Hillary Clinton/Departamenti i Drejtësisë raport për FBI-në

schedule21:06 - 19 Prill, 2018

schedule 21:06 - 19 Prill, 2018

Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara do të publikojë së shpejti një raport mbi veprimtarinë e ish-shefit të FBI-së, që mund të ketë dëmtuar figurën e Hillary Clinton në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

 

Një raport i shumëpritur i Departamentit të Drejtësisë mbi deklaratat publike të ish-shefit të FBI-së James Comey lidhur me hetimin ndaj Hillary Clinton në vitin 2016 do të publikohet muajin e ardhshëm. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, raporti do t’i referohet citimeve të Comey mbi rastin e përdorimit të email-it privat nga Clinton kur ishte sekretare e Shtetit. Gjithashtu, ai do të nxjerrë të dhëna nëse agjentë të FBI-së nxorrën informacione në dëm të ish-zonjës së parë kur garonte për presidente. Dokumenti është përgatitur nga inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë, Michael HoroWitz dhe ka marrë jetë një javë përpara se Donald Trump të merrte detyrën në janar 2017. Më herët, Clinton i ka quajtur hetimet e FBI-së për përdorimin e email-it privat të saj faktorë të papërfillshëm në humbjen përballë Trump, i cili e shkarkoi Comeyn nga drejtimi i FBI-së në maj të vitit të kaluar. Raporti ekzaminon deklaratat e Comeyt në gusht të 2016-s, se ndaj Clinton nuk do të ngrihej asnjë akuzë; si dhe ato të bëra në tetor të të njëjtit vit për rihapjen e hetimeve mbi përdorimin e email-it privat të saj, me argumentin se kishte vënë në rrezik informacione të klasifikuara. Gjithashtu, dosja e HoroWitz do të zbulojë nëse agjentë në pension dhe ende në detyrë të departamentit të FBI-së në Nju Jork nxorrën informacione të rezervuara në dëm të Clinton. Burime nga agjencia ligjzbatuese kanë thënë më herët për “Reuters” se dyshohej se të dhënat i ishin përcjellë ish-kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Giuliani, këshilltar i Trump gjatë fushatës elektorale, i cili më pas ia kishte kaluar ato televizionit “Fox News”.  /abcnews.al