Ballkani nën kthetrat e koronavirusit, Serbia dhe Kroacia më të prekurat, Mali i zi vazhdon të ketë numër më të vogel se fqinjët

schedule13:53 - 30 Mars, 2020

schedule 13:53 - 30 Mars, 2020

Ballkani ashtu si pjesa tjetër e botës vazhdon të jetë nën pushtetin e koronavirusit ndërkohë që numri i personave të prekur ndryshon nga vendi në vend, edhe në varësi të kohës kur janë marrë fillimisht masat drastike të izolimit të popullsisë. Serbia vazhdon të kryesojë listën me mbi 700 të prekur dhe 13 viktima, e pasuar nga Kroacia me mbi 700 të prekur dhe 6 viktima. Bosnje dhe Hercegovina pason me mbi 300 të prekur dhe 6 viktima, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut që është tek pothuaj 300 të prekur dhe 2 viktima.

Mjeku Aliriza Osmani në spitalin e Kumanovës shpjegon si procedohet me pacientët e prekur nga koronavirusi.

“Për momentin kemi 21 pacientë  pozitivë, prej tyre 14 janë në karantinë në shtëpi. Të gjithë i kemi në dispozicion numrat e tyre”, shprehet ai.

Kosova vazhdon të ketë gjithashtu rritje të numrit të rasteve të personave të prekur ndërkohë që numri i të prekurve tashmë e ka kaluar 90 dhe është raportuar një viktimë. Sipërmarrësja Linda Shala shpjegon si po përjetohet kjo situatë në Kosovë.

“Kosova ka pasur ditë normale, por edhe ditë të vështira. Dy javët e ardhshme do të jenë edhe vendimtare. Presim që të japin rezultate masat e marra. Ne ende qendrojmë në numra të vegjël, raste janë kryesisht raste të kontaktit. Në 2 javët e ardhshme do të dimë saktësisht se sa kemi qenë të disiplinuar”, shprehet mjekja. Mali i Zi ka pasur gjithashtu një rritje të rasteve mbi 80 të prekur dhe 1 viktimë ndërkohë që ishte vendi i fundit në rajon që konfirmoi prekjen nga koronavirusi. Tuzi vazhdon të jetë I gjithi në izolim dhe mbetet zona më e prekur bashkë me Podgoricën. Nikollë Camaj, anëtar i këshillit bashkiak në Tuz shpjegon çfarë po ndodh në Tuz dhe çfarë masash janë marrë për tu përballur me situatën.

“Mbretëron një qetësi absolute, pa lëvizje. Është një disiplinë e qytetarëve që ndihmon shumë që situata të mos përshkallëzojë për të keq. Të gjithë të infektuarit janë në gjendje të stabilizuar”, thotë ai.

Në të gjitha vendet e rajonit, autoritetet dhe mjekët po bëjnë thirrje që qytetarët të zbatojnë masat e izolimit, në mënyrë që sistemi shëndetësor të ketë mundësi të përballojë këtë pandemi. /abcnews.al