Sytë e rajonit janë nga administrata e re e Donald Trump e sidomos për dialogun Kosovë-Serbi.
Teksa disa presin një përfshirje më të madhe të presidentit amerikan në ndërmjetësime, të tjerë thonë se është ende herët për të përcaktuar qasjen që SHBA do të ketë.
Ish-diplomati, Blerim Canaj thotë për KosovaPress se roli i SHBA-së në dialog do të varet nga marrëdhëniet që krijohen ndërmjet administratës Trump dhe Brukselit zyrtar.
Por sipas Canajt, kjo do të varet sidomos edhe nga rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe kush do të jetë në krye të Kosovës pas kësaj datë.
“Bashkimi Evropian do të detyrohet të shkojë në një vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kabineti i Donald Trump, përkatësisht republikanët, nuk janë ata të cilët funksionojnë si demokratët, ‘tërhiqe dhe mos e këput’, por dinë t’i prenë gjërat shpejtë dhe natyrisht sipas nevojës. Shumë ka rëndësi se kush do të qeverisë me Kosovën. Ka rëndësi se çfarë komunikimi do të ketë mes Kosovës dhe SHBA-së. Nuk e përjashtoj mundësinë që Donald Trump dhe Richard Grenell të thonë se po e vazhdojmë ku e kemi lënë aty në vitin 2019”.
Për politologun Seb Bytyqi është ende e paqartë se cila do të jetë qasja e administratës së Trump në dialogun Kosovë-Serbi.
Koha do të tregojë nëse SHBA do të ketë një rol kyç direkt në dialog, apo procesi do të vijojë të udhëhiqet nga Bashkimi Europian.
“Është ende herët që të flitet për një qasje të re. Duhet të presim që të shohim dëshmi për një qasje të re. Jemi në një periudhë të zgjedhjeve, periudhë tranzitore. Pra deri të përfundojë kjo periudhë nuk mund të ketë ndonjë hap të rëndësishëm në dialog. Prandaj duhet të presim për një kohë për të vërtetuar a ka qasje të re. Edhe në Serbi mund të ketë zgjedhje të reja dhe kjo periudhë tranzitore zgjedhore do të zgjatet edhe më shumë”.
Procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka filluar që në vitin 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Edhe pse palët kanë arritur disa marrëveshje, shumë pak prej tyre janë zbatuar./abcnews.al