Ballkanasit, në kërkim të rrugëve për të siguruar vaksinën kundër Covid-19

schedule14:38 - 26 Korrik, 2020

schedule 14:38 - 26 Korrik, 2020

Pjesa më e madhe e vendeve të rajonit janë duke kërkuar rrugë dhe mënyra për të siguruar vaksinën kundër Covid-19, sapo të dalë në treg.

Kosova është duke hulumtuar rrugët për të siguruar vaksinën për qytetaret e vet, përmes ndonjë organizate, prokurimeve të përbashkëta me BE-në apo ndonjë shteti tjetër.

“Ne nuk e dimë kur del në treg siç nuk e dinë as të tjerët. Por duhet të jemi gati, që të jemi në radhë (për ta marrë),” tha për Abc News zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti.

Ndërkohe në Maqedoninë e Veriut kjo çështje nuk është diskutuar në institucionet që mbulojnë shëndetin publik.

Burime nga ky institucion në Maqedoninë e Veriut thanë për Abc News se çështja e prokurimit të vaksinës apo gjetja e rrugëve për ta marrë atë nuk është diskutuar.

Në Serbi, presidenti Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se ata do ta kenë vaksinën deri në fund të vitit.

“Falë një vendi të rëndësishëm që ka filluar tashmë të vaksinojë njerëzit, ne do ta kemi vaksinën nga fundi i vitit. Kjo do ta ndihmojë Serbinë në mënyrë të jashtëzakonshme që ta mbijetojë pandeminë,” është shprehur Vuçiç.

Ndërsa Darija Tepavcevic, zv/shefe e institutit serb të Shëndetësisë, tha se Beogradi është në komunikim intensiv  me kompanitë kryesore që po merren me nxjerrjen e vaksinës sepse kërkesa do të jetë shumë e madhe për të sapo të jetë gati. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!