“Ballkan” në “ABC”-Serbët e përkëdhelur të veriut të Kosovës

schedule20:15 - 26 Maj, 2021

schedule 20:15 - 26 Maj, 2021

Emisioni Ballkan-Linda Karadaku

Me votat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Srpska, parlamenti i Kosovës vendosi të japë 11 milion euro për të mbuluar humbjet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit. Pagesa bazohet në kërkesën e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Sistemit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT) dhe kompensimet bëhen për gjashtë muajt e ardhshëm për komunat e Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit. Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) është kompani me njëqind për qind të aksioneve shtetërore.

Serbët në veri të Kosovës nuk kanë paguar për energjinë që shpenzojnë që pas mbarimit të luftës në Kosovë në 1999. Opozita nuk mori pjesë në votimin e këtij vendimi në parlament, që kaloi përfundimisht me 61 nga 120 deputetë që ka kuvendi I Kosovës, I votuar nga deputetët e Vetëvendosjes dhe përfaqësuesit serbë në parlament, Lista Srpska. Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Hamza deklaroi se kuvendi nuk ka të drejtë të ndërhyjë në menaxhimin e ndërmarrjes KOSTT në bazë të legjislacionit në fuqi. Por kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka theksuar se më mirë është të jepen para prej KOSTT-it për veriun, sesa të dërgohen forca policore dhe të kthehen në arkivol, “si rasti i policit, tashmë hero, Enver Zymberi”.

Shpenzimet vjetore për energji për këto komuna shkojnë në rreth 12 milion euro. Dhe nuk është hera e parë që pjesa tjetër e Kosovës paguan për energjinë që harxhojnë serbët e veriut. Qytetarët e Kosovës kanë paguar një shtesë prej 3.5% në periudhën 1999-2017, për të mbuluar humbjet e energjisë elektrike në veri. Në vitin 2017, Gjykata e Apelit e Kosovës, vendosi që kjo praktikë ishte e paligjshme. Por çështja u rikthye në qeveri dhe parlament, thjeshtë sepse serbët e veriut vazhdojnë të mos e paguajnë energjinë që shpenzojnë.

Që nga dhjetori i vitit 2017, deri në fund të vitit të kaluar, shuma shkon në 40 milionë euro në vlerë të energjisë së tërhequr nga sistemi inter-konektiv për mbulimin e humbjeve për pjesën veriore të Kosovës.

Që nga dhjetori i vitit 2020, KOSTT funksionon në mënyrë të pavarur nga blloku rregullator SMM në të cilin bëjnë pjesë Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut dhe është pjesë e bllokut rregullator me Shqipërinë, AK. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe një vit më parë, kur qeveria Kurti në mandatin e parë, kishte dhënë 10 milionë euro për të siguruar furnizimin me energji elektrike të veriut, për të njëjtën arsye, për të mbuluar humbjet nga mos-pagesa e energjisë në veri. E njëjta gjë ishte bërë më parë edhe nga qeveria Haradinaj para tij.

Pas përfundimit të luftës, energjia elektrike e shpenzuar nga serbet e veriut, është paguar fillimisht nga fondet e BE-së, por që nga shpallja e pavarësisë, është paguar nga qytetarët e Kosovës, qoftë përmes buxhetit, qoftë përmes faturave. Në vitin 2017, pagesa u hoq nga faturat e qytetarëve në pjesën tjetër të Kosovës dhe u mor përsipër nga qeveria për ta paguar nga buxheti i shtetit. Problem tjetër mbetet fakti që energjia e harxhuar në veri të Kosovës paguhet dyfish, financohet nga buxheti I Kosovës për humbjet nga mos-pagesa, ndërkohë që qytetarët serbë në veri ia paguajnë faturat kompanisë serbe “Elektroprivreda serbije”, përmes “Elektrokosmet”. Ndërkohë, kompania energjetike “Elektrosever D.O.O”, ka kërkuar që më 28 dhjetor 2020 marrjen e licencës për të furnizuar me energji elektrike katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Por, në mungesë të bordit funksional, ky aplikacion nuk mund të procesohet më tej. Qeveria e Kosovës tashmë ka shpallur konkurs për kryesues të bordit edhe për dy anëtarë në bordin e ZRRE-së, duke shfuqizuar konkursin e qeverisë së mëparshme.  Kërkesa për licencimin e kësaj kompanie serbe do të duhet të bëhet në bazë të ligjeve të Kosovës. Regjistrimi dhe licencimi i një kompanie serbe është kërkuar në kuadër të dialogut në Bruksel në vitin 2013, kur Kosova dhe Serbia nënshkruan Marrëveshjen për energjinë.

Kjo marrëveshje kishte parashikuar krijimin e një kompanie të re, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizonte me energji elektrike konsumatorët në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Kompania “Drustvo Elektrosever D.O.O” ishte regjistruar në vitin 2018 në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, me bazë në Komunën e Mitrovicës së Veriut, me aktivitet kryesor tregtinë e energjisë elektrike.

Përveç 12 milionë eurove në vit për faturat e energjisë, qytetarët serbë në veri të Kosovës kanë borxh edhe mbi 15 milionë euro të tjera për faturat e ujit të shpenzuar që nga viti 1999. Bizneset zhvillojnë veprimtarinë e tyre në atë pjesë të vendit, në shumicën e rasteve të paregjistruara në institucionet qendrore të Kosovës dhe nuk paguajnë detyrimet tatimore.

Zëdhënësja e KOSTT-it, Zana Rama ka thënë se pagesa për energjinë e shpenzuar nga serbët e veriut ka qenë e domosdoshme për të mos rrezikuar anëtarësimin e Kosovës në Rrjetin e Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Evropës (ENTOS) sepse që nga viti 2017, përgjegjësinë për të mbuluar humbjet nga furnizimi me energji elektrike për pjesën veriore të Kosovës, nga Kompania Furnizuese (KESCO) i është kaluar KOSTT.

Ajo ka theksuar se në momentin që Kosova apo KOSTT është pavarësuar nga Blloku SMM (Serbi, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut) dhe është bërë zonë e pavarur rregulluese në kuadër të Bllokut AK (Shqipëri-Kosovë, çdo devijim i zonës që mbulon Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës, konsiderohet devijim i Kosovës. Në të kundërtën do të kishte penalizime të cilat kanë kosto edhe më të larta. Në dhjetor të vitit të kaluar, KOSTT kishte filluar të blinte energji për mbulimin e humbjeve për furnizimin e veriut me energji elektrike me para të dhëna nga qeveria e Kosovës për këtë, në vlerë prej 10 milionë eurosh, të mjaftueshme për të mbuluar kostot e konsumit në veri të Kosovës vetëm deri në mes të prillit 2021.

Ndërkohë që parlamenti I Kosovës diskutonte për dhënien e milionave të tjerë për të mbuluar humbjet e energjisë në veri të vendit, ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, iu tha deputetëve se qeveria po punon për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për një situatë që ka qenë problematike për më shumë se 20 vjet. Sido që të jetë, zgjidhja nuk duket të jetë e lehtë, dhe si gjithmonë dhe në çdo rast kur bëhet fjalë për pjesën veriore të Kosovës, është më shumë politike, sesa ekonomike.

Borrel deklaroi se “Qëndroj i gatshëm të ndihmoj përfaqësuesin e ri të Kosovës të familjarizohet me procesin, i cili është duke vazhduar tashmë nuk jemi duke e filluar tani, kemi punuar me qeverinë e mëparshme, dhe nuk mund të hedhim nga dritarja punën e bërë me qeverinë e mëparshme, të jetë i ndërgjegjshëm për këtë, të familjarizohet me të, me qëllim që të vazhdohet me procesin. Për të vazhduar me procesin, pa vonesë të rëndësishme, dhe për të prodhuar rezultatin e nevojshëm. Është e qartë se pa një status ndërkombëtar të pranuar gjerësisht, rruga evropiane e Kosovës nuk ka të ardhme.“

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës tha “Zgjidhja e ka emrin në formën e togfjalëshit njohja reciproke. Pra as Serbia nuk e njeh Kosovën por as Kosova nuk e njeh Serbinë dhe njohja reciproke është ajo që do të kontribuonte shumë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan.”

Besnik Tahiri nga AAK u shpreh “Është përgjegjësi e tij (e Kurtit) që të prezantojë një platformë para kuvendit dhe një vizion sesi e sheh ai procesin e dialogut.”

Naim Rashiti, drejtor ekzekutiv i grupit kërkimor për politikat ne Ballkan, BPRG: “Ka disa vite që Serbia ka krijuar një avantazh ndërkombëtar, evropian dhe në çdo aspekt në raport me Kosovën dhe Kosova është dobësuar dhe kjo ka krijuar edhe një përshtypje ndërkombëtare, së paku edhe nga perspektiva e Kosovës që Kosova nuk trajtohet njëjtë si Serbia, si palë e barabartë në këtë.”/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!