Pas këtyre deklaratave nuk ka vonuar dhe reagimi i mazhorancës. Nga salla e kuvendit, kreu i grupit parlamentar te PS, Taulant Balla, tha se nisma e opozitës për Veting të politikës, nuk mund të ndodhë, pasi reforma në drejtësi e votuar dy vite më parë në Kuvend ia njeh këtë të drejtë Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
E dinë që nuk do ta kenë opozitën në parlament as në seancën e radhës. Megjithatë nuk ngurrojnë t’i përgjigjen në distancë deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla e nis me akuzën për mos publikimin e propozimit të opozitës për vetingun në politikë, në faqen zyrtare të Kuvendit.
“O jurist, o Lulzim ka një ka një nen rregullorja e Kuvendit, është neni 77 për shqyrtimin e nismave ligjore për rishikimin e kushtetutës. O jurist, o Lulzim e ke depozituar ditën e premte, seanca e parë e kuvendit është sot nga dita e premte. Ka dëgjuar njeri që të kishtë ndonje seancë tjetër plenare gjatë këtyre ditëve dhe juristit Lulzim i është mohuar e drejta e propozimt?! Në orën 10:03 Kuvendi u njoh me propozimin. Në tavolinat përballë karrikeve bosh të juristit Lulzim dhe deputetëve part-time përfaqësues të opozitës janë të gjitha kopjet e projektligjit të firmosur nga juristi Lulzim bashkë me deputetet e tjerë.”
E duke u ndalur në nismën e propozuar prej opozitës për vetting në politikë , Taulant Balla e sheh si vetting të vetvetes, gjë që nuk mund të ndodhë sipas tij.
“Nuk bëhet Vettingu i politikës nga vetë politikanët.
Ky propozim Lulzim nuk merret me pasurinë e politikanëve. 27 vjet korrupsion i pa hetuar në asnjë rast. Nuk merret me familjarët e politikanëve aty ku në fakt fshihen prej vitesh pasuritë e korrupsionit. Nuk merret me dënimin e politikanëve të korruptuar”.
I sigurtë shprehet Taulant Balla edhe për përfundimin e vettingut për dy figurat më të rëndësishme të Partisë Demokratike.
“Vetëm SPAK dhe BKH mund të vetojnë politikanët Lulëzim. Për mua ti Lulzim në veting, nuk kalon kurrë me sa ke mbi supe, ti dhe Saliu. S’mund ta bëj unë vetingun tim, tëndin, të Metës e Ramës, mund ta bëjë vetëm SPAK E BKH”.
E ka thënë dhe e përsërit se një herë të vetme në jetë I ka dhënë të drejtë ish kryetares së kuvendit Jozefina Topalli.
“Dhe atë do ta them sa herë të kem mundësi, ti të gënjen edhe kur të pyet për orën, jo më të besohs për gjëra të tjera”./abcnews.al