Balla uron Nanon në 68-vjetorin e lindjes: Udhëheqësi ynë historik

schedule15:50 - 16 Shtator, 2020

schedule 15:50 - 16 Shtator, 2020

Pas kryeministrit Edi Rama edhe kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla i ka uruar 68-vjetorin e lindjes liderit historik të socialistëve Fatos Nano.

Balla thotë se nën drejtimin e Nanos e majta është formësuar, duke bërë që kontributi i saj të spikasë në momente të vështira dhe delikate. Ai liston disa nga arritjet e Nanos në krye të PS.

“Urimet më të mira për ditëlindjen udhëheqësit tonë historik Fatos Nanos.

Nën drejtimin e tij u formësua e majta moderne socialdemokrate dhe progresiste, duke spikatur kontributi i PS në momente të vështira e delikate që do të kalonte Shqipëria në ngjarje me ngarkesë të madhe politike:

si refuzimi i tentativës për uzurpimin e demokracisë nga diktatura berishiane me projekt-kushtetutën e vitit 1994,

zgjedhjet e vjedhura të 26 Majit 1996 dhe dhunimi masiv i opozitës,

kriza e piramidave në 1997, kolapsi total dhe përgjegjësia jonë për rivendosjen e shtetit,

miratimi i Kushtetutës në 1998,

kontributi i pazëvendësueshëm në luftën e Kosovës në 1999,

hapat e rëndësishëm dhe historikë drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian”, shkruan Balla./m.v. abcnews.al