Balla: Shqipëria i ka tejkaluar detyrat

schedule12:54 - 17 Tetor, 2019

schedule 12:54 - 17 Tetor, 2019

Nga foltorja e Kuvendit, kryetari i grupit socialist Taulant Balla ka deklaruar se edhe nëse nuk jepet një “po” për çeljen e negociatave, faji nuk është i Shqipërisë sepse ajo i ka zbatuar, madje tejkaluar detyrat e shtëpisë. Balla tha se kjo varet nga politikat e brendshme të BE, ndërsa bëri fajtore edhe opozitën e cila sipas tij, ka punuar kundër negociatave.

“Tre javë më parë, teksa Gjermania miratonte dokumentin që i thoshte po Shqipërisë, edhe këtu në këtë sallë dëgjova se PO-ja ishte një JO e veshur si PO. Sot ne duhet të jemi të gjithë krenarë që Gjermania është vendi që drejton një betejë sa diplomatike, sa politike për ti dhënë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut rrugën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim. Ajo matricë gjermane e detyrave të Shqipërisë është instrumenti më i mirë, ndaj nuk di ta gjej arsyen se përse edhe Presidenti francez nuk e gjen veten në këtë instrument. Teksa ne jemi këtu në sallë, një njeri që 28 vite i ka bërë dëm këtij vendi, ish kryeministri Berisha del pa pikë turpi dhe thotë se falenderon presidentin Macron që i ka thënë Jo Shqipërisë për hapjen e negociatave.

Ajo çfarë i shtyn ata ti thonë JO Shqipërisë, nuk ka të bëjë farë me Shqipërinë. Nuk është fare pjesë e çfarë ka bërë apo nuk ka bërë Shqipëria. Shqipëria ka bërë pikë për pikë, madje më shumë se sa ju tha dy vite më parë, se sa ju tha një vit më parë.
 Sot jemi në kushtet ku 26 vende anëtare të Bashkimit Europian mendojnë që Shqipëria i ka përmbushur madje edhe tejkaluar ato që ka pasur si detyra shtëpie. Për të shkuar te krahasimi që është bërë me idenë e një “di coupling” mes Shqipërisë  dhe Maqedonisë së Veriut, ajo që na ndryshon ne nga Maqedonia e Veriut nuk është cilësia e reformave, por është ajo që edhe kryeministri Rama tha një javë më parë, dallimi mes klasës politike në Maqedoninë e Veriut me klasën politike që ne, për fat të keq, kemi në krahun e opozitës rrugore”, tha Balla./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!