Balla: Kodi Penal u votua pa asnjë shkelje, Lulzim Basha ti lërë krahasimet me Suedinë

schedule22:12 - 16 Prill, 2020

schedule 22:12 - 16 Prill, 2020

Kryetari i grupit parlamentar i partisë Socialiste taulant balla tha për BC neps përballë gazetares Mirela Milori se ndryshimet në Kodin Penal dhe mënyra se si u votua ka qenë në përputhje me rregulloren dhe në transparencë të plotë edhe pse në fletën e votimit nuk ishin përfshirë propozimet e depozituara nga vetë Balla.

Më tej balla sqaroi se Shqipëria nuk mund të krahasohet me Suedinë ashtu siç Basha deklaroi pasi ndryshojnë me njëri –tjetrin në aspektin social.

Pjesë nga Biseda:

Taulant Balla: Kuvendi i Shqipërisë i ka të përcaktuara procedurat e votimit. Kuvendi i Shqipërisë ka një sekretariat votimi të procedurave  i cili ka hartuar në këtë rast si asnjëherë tjetër, në mënyrën më transparente që njeh parlamentarizmi, kur bie fjala për votimin me fletë-votimi. Kjo është bërë për arsye sepse impianti i votimit, nëse do e quanim kështu, nuk mund të shtrihej në të gjithë hapësirën  e përdorur nga deputetët qoftë në llozha apo në pjesën mbrapa. Për këtë arsye është përdorur mënyra e votimit me fletë –votimi ndërkohë që vetëm për një çështje, atë të votimit nen për nen, të ndryshimeve në Kodin penal, u desh për shkak se propozimet e depozituara sot nga ana ime  nuk ishin përfshirë në hartimin e fletës së votimit, por pa asnjë shkelje rregulloreje dhe në transparencë të plotë, është zhvilluar votimi me karton ku rezulton që kuorumi i domosdoshëm për këtë votim ka qenë normalisht, dhe sigurisht rezultati i votimit ka qenë ai që bën të mundur votimin e këtyre neneve. Prandaj miqësisht do ju kërkoja që të mos nxitoni të prodhoni lajme edhe kur nuk ka.

Mirela Milori: Pra e përmban rregullorja që të votohet njëherë për një projektligj të dalë nga Komisioni i ligjeve dhe për tre orë ky projekt ligj të ndryshojë bazuar në propozimin e presidentit Meta dhe të bëhet një votim i dytë?

Taulant Balla: E gjithë kjo procedurë është zhvilluar gjatë procesit normal të votimit që ka Kuvendi i Shqipërisë. Doja të sqaroja publikun shqiptar për një person që nuk e ka për turp të gënjejë sa herë të dojë Lulzim Basha që bëri pasdite, duke u munduar të panikojë në mënyrë të vazhdueshme shqiptarët, që sipas Lulzim Bashës pas këtyre ndryshimeve në Kodin penal do të arrestohen nëse shkojnë të blejnë bukë apo do të arrestohen nëse shkelin me 5 minuta orarin. Këto ndryshime nuk ka të bëj me shqiptarët por me një përqindje të vogël të të papërgjegjshme që na rrezikojnë.

Mirela Milori: Ka një ndryshim që ndoshta lë vend për interpretim dhe gjen vend logjika e Z. Basha sepse ju thoni; nga 2 deri në 3 vite burg nëse je ose jo mbartës i sëmundjes dhe nuk zbaton karantinimin apo izolimin.

Taulant Balla: E dëgjova edhe atë krahasimin që vetëm një rezident holandez në vilat e oligarkëve mund të bëj krahasim të shoqërisë shqiptare me shoqërinë suedeze. Duhet të kuptojmë qartë që shoqëria shqiptare jemi një vend mesdhetar, ballkanik shqiptarët, familjet me njëri tjetrin,  nuk janë njëlloj me suedezët dhe nuk mund të bëhen krahasime me suedezët në aspektin e lidhjeve sociale. Çdo lloj krahasimi me Suedinë në kuptimin e kurbës krahasuese lidhur me numrin e vdekjeve nuk gjen vend. Rama ka shpjeguar sot se Shqipëria mund të gjej hapësira krahasimi me Italinë por kurrsesi me Suedinë. Nëse do të hidhnim të dhënat krahasuese nuk do ishim këtu ku jemi. Arsyeja pse ndryshimet në Kodin penal janë të domosdoshme sot është se nëse duam të hapim kufijtë duke filluar nga e shtuna për çdo shqiptar që ka mbetur jashtë vendit pikë së pari duhet të garantojmë që gjithçka kemi arritur deri sot ta ruajmë si sytë e ballit./abcnews.al