Balla: E njoh Edmond Begon, por nuk i është ofruar mburojë politike

schedule13:52 - 21 Gusht, 2018

schedule 13:52 - 21 Gusht, 2018

Taulant Balla reagon pas akuzave të opozitës për lidhje me biznesmenin shqiptar të arrestuar në Greqi. Deputeti socialist tha se e njeh Edmond Begon, por atij kurrë nuk i ështe ofruar mburojë përballë ligjit.

Përgjigjen e parë me zë dhe figurë ndaj akuzave të opozitës që e lidhin me të arrestuarin në Greqi Edmond Bego, Taluant Balla e dha i nxitur nga interesimi i gazetarëve. Njohjen, deri në nivel familjar, me të dënuarin në itali për “trafik narkotikësh” dhe “drejtim të organizatës kriminale” e pranon, madje duke i dalë në mbrojtje Edmond Begos, të cilin e konsideron njeri të thjeshtë dhe të zakonshëm.

“Personin në fjalë sigurisht që e njoh, njoh bashkëshorten e tij dhe fëmijë të shkëlqyer, nxënës shembullorë, moshatarë me tim bir. Dua t’ju them me garanci të plotë se kurrë nuk i është ofruar një mburojë e tillë që shumë shqiptarë nëpër kufij të ndryshëm të BE vendosen në proces verifikimi të së shkuarës së tyre është një proces normal dhe janë të shumtë ata që e dinë.
Për mua në këtë proces është e rëndësishme që të hiqet dorë nga përdorimi i njerëzve të thjeshtë e të zakonshëm për hedhje balte në dëm të krahut tjetër. Në fund të kësaj do të kemi pjesë të serisë Babale 3, sepse personi nuk ka qenë në kërkim dhe nuk është në kërkim ndërkombëtar nga askush dhe pas verifikimit, pyeteni personin vetë nëse ka pasur ndonjëherë nevojë për mburojë politike. Këtu e konsideroj të mbyllur këtë çështje”.

Kreu i grupit parlamentar socialist përsëriti apelin ndaj opozitës për miratimin e ndryshimeve ligjore sa i përket shkollës së magjsitraturës.

“Unë do të doja që të ribëja edhe njëherë apelin përkundrejt opozitës, të dy grupeve parlamentare që në seancën e parë të 3 shtatorit, në orën 18:00 të kishim mundësi të votonim menjëherë rivvendosjen në afat të një dizpozite tranzitore që ka të bëjë me shkollën e Magjistraturës, po të kemi parasysh që shkolla e Magjistraturës është pjesë e një projekti të rëndësishëm bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Gjermanisë”.

Deklaratat i bëri gjatë konferencës së përbashkët në përfundim të takimit me deputetët gjermanë të SPD-së Josiph Juratovic dhe Martin Roseman të cilët njoftuan shqyrtimin e mundësisë së lehtësimit të procesit të marrjes së vizave të punës për shtetasit shqiptarë me kontrata të rregullta pune. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!