Kreu i Grupit Parlamentar Socialiste Taulant Balla, i është përgjigjur kolegut të tij demokrat, Enkelejd Alibeaj, ndërsa diskutohej për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, për personat e inkriminuar dhe korrupsionin.
Alibeaj tha se do ta mbështeste këtë marrëveshje në rast se do të flitej për një marrëveshje ekstradimi mes dy vendeve, ndërsa tha se ajo që po diskutohet në Kuvendin e Shqipërisë është qesharake.
Në replikën e tij Balla tha se Alibeja duhet ta dijë mirë se ka qenë Ministër Drejtësie, se jo vetëm Shqipëria, por asnjë shtet në botë nuk ka marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Do ta kisha tërhequr fjalën time edhe për kursim energjie nëse nuk do kisha dëgjuar zotin Alibeaj, i cili ndoshta për mungesë informacioni mendoj që pati një fjalë që kishte zero kuptim. Nuk ka Emiratet e Bashkuara Arabe marrëveshje ekstradimi me asnjë vend, kanë një marrëveshje tejet të vjetër e cila edhe ajo nuk zbatohet sot. Dhe mund t’ua them me bindje se në rast se Emiratet e Bashkuara Arabe do të ndryshojnë qasje, Shqipëria do të jetë ndër vendet e para që do nënshkruajë një marrëveshje të tillë. Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë marrëveshje me asnjë shtet. Besoj se ja do zakoni shqiptarit t’i thoni ministrit ndjesë se nuk e dija edhe pse Kam qenë Ministër Drejtësie, edhe pse në atë kohë ju është dashur që këtë gjë të përplaseni me të. Në fakt marrëveshja e sotme është e rëndësishme. Jam dakord se duhet të ishte bërë kohë më parë. Por në fakt zoti Çuçi meriton një lloj falënderimi për këtë marrëveshje, po të lexoni marrëveshjen na jep mundësi të bashkëveprojmë me organet ligjzbatuese të Emirateve të Bashkuara. Unë mendoj se ka plot raste që Grupi Parlamentar i PD dhe ju si kryetar i grupit parlamentar do ta mbështesni këtë marrëveshje. Po ashtu dua tu them se marrëdhëniet e Shqipërisë me Emiratet e Bashkuara Arabe janë në nivelin më të mirë historik”, tha Balla.
/Abcnews.al/