Emigrimi i të rinjve nga Shqipëria drejt Perëndimit, peripecitë dhe vështirësitë e tyre kanë qenë temë e festivalit “Ballkan Trafik 2019”, i mbajtur në Belgjikë.
Shqiptarët midis tingujve të gëzuar dhe vështirësive në emigrim. Kështu janë futur historitë e shpirtrave poetikë të trazuar dhe hareja e muzikës popullore shqiptare në Festivalin “Balkan Trafik” 2019. Performancat shqiptare kanë filluar si një dasmë e madhe për të shkundur prej supeve lodhjen dhe mendimet gri, rimbushjen e energjive nga historitë e forcës që përcjellin malet shqiptare e mbylljes në mënyrë filozofike në mesnatë: të bashkekzistencës shqiptare me atë evropiane :
Nicolas Wieërs, organizator i festivalit “Balkan Trafik” shprehet se:
“Të arrish diversitetin e kulturave nuk është e lehtë. Në Bruksel, shqiptarët rrinë me njëri tjetrin, serbët me njëri tjetrin, rumunët me njëri tjetrin. Është e vështirë të arrish komunikimin midis komuniteteve. Ndërkohë kur sjell një grup si “Rinia”, kapërcehet dimensioni i komunitetit dhe magjia e festivalit vepron mbi të gjithë”.
Femra shqiptare ka qenë në qendër të vëmendjes. Një shkëmbim historish femrash që kanë emigruar nga Ballkani në Belgjikë. Historitë e atyre që kanë kapërcyer vështirësitë e emigrimit 20-30 vite më parë përballë sfidave që kalojnë të tjera sot në emigrim. Një projekt i ideuar dhe koordinuar nga Shqipe Kaçiu, venë në skenë nga Ana Romano e shoqëruar nga “Melosi Kuq e Zi”: Një dalje nga hija e mundimit të pazë në shkëlqimin e një festivali ….
“Nëpërmjet këtyre atelieve, kanë kaluar mbi 30 gra dhe vajza që vijnë nga të gjitha trevat e Ballkanit por kryesisht gra shqiptare nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. Ky projekt nxjerr në pah, se kush janë këto gra, si i kanë kaluar këto vështirësi, si i kanë përcjellë ato”, u shpreh Shqipe Kaçiu, koordinatore e këtij festivali.
Dhe gërshetimi i historive të emigrimit shqiptar ndërthuret me historinë e Zenel Laçit, i cili ka korrur sukses të merituar sipas kritikës belge me pjesën e tij të teatrit “Fritland”. Një shqiptar që jetonte në mendjen e tij me poetin francez Arthur Rimbaud, që u bë një institucion i patateve të skuqura në Bruksel dhe sot performon në skenat e Brukselit.
“Në këtë mënyrë, kur belgët do provojnë patatet tona, do harrojnë që jemi të huaj, sepse në gojën e tyre do të mbetet vetëm shija e patates së skuqur të freskët”, thekson aktori Zenel Laçi.
Sipas organizatorit të festivalit, Nicolas Wieërs , një nga risitë e festivalit është dhënia e hapësirës së duhur së rrymave të të rinjve në Ballkan, që u pëlqye në Bruksel:
Nicolas Wieërs, organizator i festivalit “Balkan Trafik” tha se:
“Atë që kam dëgjuar nga artistët e Ballkanit, është që etnosi është i rëndësishëm , por duan të tregojnë gjithashtu që artistë nga Ballkani mund të bëjnë edhe xhaz apo rap ndërkombëtar. Kur dëgjon grupin e Vasil Hadzimanov nga Serbia është një xhaz ndërkombëtar. Kur dëgjon raperin Elinel nga Kosova, rapi i tij është po ashtu ndërkombëtar. Elinel ishte shumë i kënaqur me pritjen e publikut, Franky i Bosnjê-Hercegovinës po ashtu. Raperët rumunë erdhën edhe pse ishin Pashkët Ortodokse. Shkurt, ishte një gërshetim i ri i performancave nga Ballkani”.
Përveç kulturës së Ballkanit, iu la vend edhe politikës përmes arritjes domethënëse të marrëveshjes që solli përfundimisht emrin “Maqedoni e Veriut”. Festivali Balkan Trafik zhvillohet çdo vit në Bruksel me muzikën, vallet, kinematografinë, letërsinë dhe artet pamore të vendeve të Ballkanit./abcnews.al

