Balerini shqiptar në operën e Berlinit, Andrea Rama: Teatrot duhen hapur si në Europë

schedule18:59 - 18 Tetor, 2020

schedule 18:59 - 18 Tetor, 2020

Nga Leontina Nika

Ndryshe nga Europa, Shqipëria ende i ka dyert e mbyllura të teatrove në vend.

Balerini dhe Koreografi Andrea Rama, thotë se në Berlin jeta artistike ka nisur që në qershor.

“Në Berlin lajmi i parë që do hapeshin dhe teatrot e mbyllura edhi në qershor. Ne patëm shfaqjen e parë në 4 korrik. Ato duhet të hapen në një audiencë të kufizuar, sepse kjo është e nevojshme. Artistët kanë zgjidhje për situatën”, tha ai.

Ideatori i Festivalit në hapësira publike thotë se këtë eksperiencë e ka zhvilluar jo vetëm në periudhë pandemie në disa vende evropiane.

“Ideja është e thjeshtë dhe në të njëjtën kohë edhe komplekse sepse ambientet publike të japin lirinë e pafundme por është edhe pjesa ku kufizohesh për shkak të arkitekturës. Ne kemi bërë disa shfaqje, në Berlin, në Francë. Kemi realizuar shfaqje edhe me fëmijët, kontakti me ta ka qenë shumë i bukur”, shprehet koreografi.

Sëbashku me të kanë ardhur edhe artistë nga Gjermania të cilët  u bënë pjesë e festivalit në hapësira publike.

“Tirana ishte vërtet surprizë për mua pasi është hera e parë që e vizitoj dhe më frymëzoi edhe në konceptin tim koreografik bazuar mbi Bethovenin i cili u interpretua nga fëmijët, gjithashtu edhe për kuartetin e grave”, thotë një prej tyre.

“Është me shumë rëndësi që të udhëtosh dhe të njohësh njerëz të rinj përmes performancave të tua. Arti është shumë i rëndësishëm dhe në këto kohë të vështira, njerëzit duhet të ushqehen me artin”, tha një artist tjetër.

Festivali  vjen  vërtet  ndryshe, ku gjithçka ndodh në hapësirë publike, prova e shfaqje e performancat, me qëllim të afrojnë publikun drejt artit.

Festivali u përmbyll tek Amfiteatri  i Kodrave të liqenit  ku u bënë bashkë 54 artistë. /abcnews.al