Bajerni nuk bind edhe pse është ndër 4 ekipet më të mirë

schedule13:02 - 12 Prill, 2018

schedule 13:02 - 12 Prill, 2018

Bajerni nuk i bindi tifozët e tij pavarësisht kualifikimit për në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Skuadra bavareze nuk shkëlqeu ndaj Seviljes, por trajneri Jup Hajnkes nuk ishte aspak i pakënaqur.

Viti 2013 ishte krejt tjetër gjë. Bajerni i asaj kohe shkoi drejt titullit europian pas triumfit të jashtëzakonshëm të Barcelonës, 7-0 në të dyja ndeshjet çerekfinale, ndërsa këtë herë ndaj Seviljes, u duk shumë larg atyre kohëve.

Edhe pse në fushë ishin disa nga heronjtë e asaj epoke, si Roben, Riberi apo Tomas Myler, dhe në stol i njëjti trajner, Jup Hajnkes, skuadra bavareze ishte e lodhur.

U mjaftua me një barazim pa gola në “Alianc Arena” të Mynihut dhe kaloi në gjysmëfinale falë suksesit 2-1 në Spanjë, ku gjithashtu nuk bindi plotësisht.

Sevilja luftoi fort dhe ishte thuajse e barabartë me kampionët e sapokurorëzuar të Gjermanisë.

Ekipi i trajnerit Montela nuk e vuajti shumë humbjen 0-4 në fundjavë në La Liga ndaj Seltës, por iu afrua disa herë golit, duke goditur edhe shtyllën.

Bajerni nuk është se nuk e provoi, veçse nuk e pati shkëlqimin e pritshëm.

Ndoshta, ndikoi fitimi i parakohshëm i titullit në Bundesligë dhe festa, sado e vogël, më pas.

Gjithsesi, trajneri Hajnkes, nuk pati asnjë shenjë pakënaqësie.

Hajnkes: “Ne luftuam fort dhe nuk pësuam gol, diçka që më bëri shumë të lumtur, pasi e kam kërkuar gjithnjë nga skuadra që të mos pësojë gola në ndeshje të tilla. Sevilja luajti shumë mirë dhe tregoi se është ekip I fortë. Barazimi na mjaftonte dhe ne ruajtëm gjakftohtësinë. Përsa I përket shortit, nuk kam asnjë preferencë, pasi në gjysmëfinale ka vetëm skuadra të forta. Ju e patë se çfarë ndodhi me Barcelonën, pra nuk mund të bësh asnjë nënvleftësim. Pavarësisht shortit, synimi ynë është i qartë, të arrijmë finalen, pra duhet të përballojmë çdo sfidë”.

Edhe presidenti Uli Hënes u shpreh i kënaqur me mënyrën sesi shkuan gjërat.

“Duhet të jemi krenarë për ekipin që e meritoi plotësisht kualifikimin, – tha ai, – ju e patë se çfarë ndodhi në Romë dhe në Madrid, ndaj ishte e rëndësishme të mos ndërmerrnim aventura. Ndonjëherë mjafton edhe një rezultat 0-0, dhe skuadra u tregua shumë profesioniste me mënyrën sesi luajti”.

Gjysmëfinalet do të jenë një pengesë tjetër, edhe më e madhe sesa raundi që sapo kaloi, por Bajerni beson se është gati.

Që pas rikthimit të Jup Hajnkesit në stol, optimizmi është maksimal, që do të arrihet triumfi i madh i vitit 2013, kur u fitua edhe Bundesliga, edhe Kupa e Gjermanisë, edhe Championsi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!