Bajerni mundet në Gjermani

schedule15:22 - 26 Nëntor, 2017

schedule 15:22 - 26 Nëntor, 2017

Fate të ndryshëm për disa nga skuadrat kryesore në Europë. Bajerni pësoi humbje në Gjermani, ndërsa Interi kaloi një provë të vështirë në Serinë A.

Nuk ishte mundur prej gati dy muajsh.
Jup Hajnkesit iu prish seria triumfale në stolin e Bajernit të Mynihut dhe pikërisht në atë qytet ku pati ditët e lavdisë si futbollist.
Kampionia e Gjermanisë u mposht 1-2 në stadiumin “Borusia Park” të Mynshengladbahut, me Hajnkesin që pësoi humbjen e parë dhe me luftën për titull në Bundesligë që u rihap.
Torgan Hazar me penallti dhe Matias Ginter shënuan golat për vendasit që goditën dy herë brenda 5 minutave dhe Bajerni nuk mundi të rikuperonte.
Goli i Arturo Vidalit vlejti vetëm për statistikë dhe bavarezët mbetën në 29 pikë, ndaj 26 të Lajpcigut të vendit të dytë.
Fat i ndryshëm për pretendentin për titull në Itali, Interin.
Skuadra milaneze kaloi 3-1 në fushën e Kaljarit edhe pse nuk e pati të lehtë.
Dy golat e kapitenit Mauro Ikardi, si dhe pritjet e portierit Handanoviç e ndihmuan në ishullin e Sardenjës përballë vendasve që luftuan fort.
Fillimisht, Ikardi kaloi në epërsi ekipin e trajnerit Luçiano Spaleti, pastaj kroati Marcel Brozoviç dyfishoi rezultatin.
Kaljari ngushtoi shifrat në 1-2 me rrjetën e Pavoletit, por Ikardi nuk vonoi të realizonte përsëri dhe të garantonte fitoren, me Interin që ka 36 pikë duke qenë plotësisht në garë për titullin në Serinë A.

Në Angli, ndërkaq, përballja kryesore përfundoi në barazim.
Liverpuli dhe Çelsi ndanë nga një pikë në stadiumin “Anfild Roud”, në prani të mbi 53 000 spektatorëve.
Mohamed Salah, ish-lojtar i Çelsit, kaloi vendasit në epërsi, dhe nuk festoi në shenjë respekti.
Ky ishte goli i 15-të i egjiptianit këtë sezon dhe ai mund të quhet lojtari më i mirë i trajnerit Jurgen Klop.
Formacioni londinez reagoi dhe arriti barazimin e merituar me golin e shënuar nga braziliani Uillian pak minuta para fundit.
Rezultat i rëndësishëm për trajnerin Antonio Konte që nuk shkëputet shumë nga Mançester Junajtidi i vendit të dytë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!