Në këto ditë të vështira që po kalon Italia, shumë shqiptarë kanë vendosur ta braktisin në masë e të kthehen në Shqipëri, për shkak se deri më dje, ishte një vend i sigurtë nga koronavirusi.
Por, jo të gjithë kanë vepruar në këtë mënyrë.
Katya Imbalzano, e lindur në Reggio Calabria, por që jeton prej vitesh në Lombardi, është kthyer në personazhin e ditës në vendin fqinj, me një letër dërguar të atit, që jeton në Calabri.
Ajo i shkruan atij se e do aq shumë, sa ka vendosur që t’i qendrojë larg, nga frika se mund të jetë infektuar dhe mund të çojë virusin edhe tek të afërmit e vet.
“I dashur baba, në këto ora të gjithë po ia mbathin nga Milano për t’iu bashkuar të dashurve të tyre.
Unë nuk e kam bërë.
Mos mendo që nuk të dua… të dua kaq shumë sa që kam vendosur të qendroj larg.
Më thuaj që je mirë dhe po me merr të gjitha masat parandaluese, është mirë kështu.
Të dua nga largësia.
Do të përqafohemi shpejt”, shkruan ajo.
Postimi i saj është bërë viral brenda pak orëve dhe është shpërndarë mijëra herë.
“U preka nga pamjet e eksodit të shumë personave që, të frikësuar, ktheheshin tek njerëzit e tyre me trenin e parë të disponueshëm.
Menjëherë mendova për njeriun që dua më shumë, babin, që është i vjetër dhe në këto momente ndodhet larg meje.
Sigurisht, që mendimi i parë ishte të braktisja gjithçka e të nisesha, pastaj reflektova dhe nuk e bëra për të mirën e tij.
Ja përse e shkruajta këtë letër.
Të mësojmë të duhemi në distancë, në këto momente është e nevojshme.
Pastaj gjithçka do të kalojë dhe do të kthehemi tek përqafimet, ato të vërtetat”, ka thënë Katya për “Corriere della Sera”.