Gjykata e Durrësit dha sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Lulzim Cukun, i cili vrau bashkëshorten e tij Majlinda Cuku dy ditë më parë.
Ai u shfaq mjaft i çorientuar në sallë duke bërë që gjyqtari t’i tërhiqte vëmendjen disa herë për të marrë gjeneralitetet, ndërsa teksa ka lexuar akuzën, prokurori i çështjes ka publikuar edhe dëshminë e vajzës, raporton abcnews.al.
Vajza 10 vjeçare ishte dëshmitare e ngjarjes dhe ka thënë para prokurorëve se babai e kishte tërhequr nënën nga tualeti deri tek dera e dhomës teksa ajo ishte e mbytur në gjak.
Ajo thotë se u zgjua natën e 2 shkurtit për shkak të të qarave të së motrës, ndërkohë ka dëshmuar se Lulzim Cuku e rrihte vazhdimisht Majlinda Cukun.
“Gjykata dha urdhër mbrojtje për mamin. Ditën e ngjarjes babai e dhunoi sërish dhe ofendoi mamin. Më pas ne fjetëm gjumë, pas rreth një ore dëgjova zhurmë dhe u zgjova. Pash mamin në tualet dhe ishte vrarë me thikë. Tualeti ishte i mbyllur. Lajmërova gjyshin dhe i thash të njoftonte policinë dhe ambulancën. Babi kishte ikur”, është shprehur 10 vjeçarja.
Në dëshminë e tij, Cuku u shpreh se dyshonte se bashkëshortja e tradhtonte dhe për këtë kishte kërkuar ta merrte në Greqi, por ajo nuk kishte pranuar.
Ky fakt mohohet nga familjarët e Majlindës, të cilët shprehen se shkak për sherrin është bërë vëllai i Lulzimit, i cili donte t’u merrte shtëpinë. /abcnews.al