Kukësi gjithmonë është shquar për sportet e rënda. Krahas mundjes nuk lë pas edhe boksin. Ekipet e moshave të ndryshme stërviten çdo ditë pranë palestrës. Me tre trajnerët e tyre, boksierët e grupmoshave të ndryshme, pas disa veprimeve për nxehje, hyjnë në përgatitjen e forcës dhe veprimet taktike të ringut.
Bashkim Gjana është trajneri më I vjetër I ekipeve të boksit. Prej 25 vitesh përgatit boksierët që I kanë dhënë tituj jo vetëm Kukësit, por edhe Shqipërisë.
Vetë Bashkimi nuk ka ardhur rastësisht si trajner boksi. E ka nisur që herët rrugëtimin e tij, në fillim si mundës, e më pas në boks. Arbër Çengu është trajneri tjetër I ekipit të boksit. Edhe Arbri më herët ishte boksier ndërsa studimet në universitet e kanë kushtëzuar si sportist, por jo si trajner.
Për Arbrin, të jesh trajner është një mundësi e mire aq më shumë kur bëhet fjalë për Kukësin. Në ekipet e boksit ka mjaft elemente që japin shpirtin në rig. Profesor Bashkimi thotë se duhet mbështetje për këto elemente që sjellin tituj.
Ersi Gjana është njëri prej më të dalluarve në ekipin e Kukësit. Ka përfaqësuar qytetin dhe Shqipërinë në eventet ndërkombëtare e mban titullin kampion Shqipërie prej shumë vitesh. Bashkë me Ersin është edhe Erald Domi, një tjetër kampion në boks.
Për Ersin dhe Eraldin, sporti është ndër më të vështirët, por disiplina e stërvitja e bëjnë diferencën. Edhe pse janë studentë në universitetin e sporteve, nuk lënë ekipin e Kukësit. Duhet përkushtim për t’ia dalë.
Përkushtimi më I madh është para eventeve ndërkombëtare e si çdo sportist, kërkon rezultate të larta. Eraldi thotë se s’ka ndjesi më të madhe kur shpallesh kampion duke shpërblyer veten, trajnerin dhe familjen.
Natyrisht në sport ka edhe disfatë, por për Erald Domin, humbja e një ndeshjeje duhet të jetë shtysë për t’u përgatitur më shumë për ndeshjen e ardhshme. Dëshira e Ersit për të vijuar boksin është e patjetërsueshme, por kërkon më tepër mbështetje për të përmbushur nevojat.
Ersi thotë se ka oferta shumë të mira nga klube të tjera të boksit jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë. Gjithsesi ai ka vendosur të qëndrojë e të përfaqësojë Kuksin.
Profesor Bashkimi është jo vetëm trajner i Ersit, por edhe babai i tij. Për Ersin ky fakt është shumë i rëndësishëm për një sportist.
Vetë profesor Bashkimi si çdo prind ka atë ndjenjën e frikës për ndeshjet e të birit dhe rreziqet e mundshme, por thotë se nëse ka një përgatitje të mirë në stërvitje asgjë nuk ndodh në ring.
Profesor Bashkimi thotë se është shumë e vështirë për ta mbajtur gjallë këtë sport, por duhet angazhim më i madh për të përmbushur detyrimet e klubit./abcnews.al