“Babalja”, Spaho: Rama e Prokuroria pas fabrikimit të dëshmitarit të rremë

schedule16:21 - 6 Prill, 2019

schedule 16:21 - 6 Prill, 2019

Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si i përfshirë drejtpërdrejt me bashkëpunëtorë të tij të afërt politikë, në atë që e quan fabrikimin shtetëror të dëshmitarit të rremë kundër opozitës në çështjen “Babalja”.

Deklarata është bërë nga nënkryetari i PD-së Edmond Spaho, që deklaroi se edhe prokuroria është pjesë e skemës së manipulimit shtetëror.

“Gjatë gjithë kësaj jave qytetarët shqiptarë dhe opinioni ndërkombëtar kanë parë dhe dëgjuar përgjimet zyrtare nga Prokuroria, që provojnë skandalin mafioz të fabrikimit shtetëror të një dëshmitari të rremë kundër opozitës dhe medias në çështjen “Xhafaj”.

Qytetarët kanë dëgjuar sesi drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit kanë paguar para në dorë aktorit të qeverisë, Fredi Alizoti, i dënuar më parë për trafik droge, në mënyrë që të gënjente se ishte ai dhe jo Agron Xhafaj që koordinonte trafikun e drogës nga Vlora.

Përgjimet zyrtare të Prokurorisë tregojnë se ky skenar kriminal është vënë në zbatim nga një bashkëpunim mes drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, kupolës politike të Rilindjes dhe qeverisë, me përfshirje direkte të Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror.

Një javë pas publikimit të këtij skandali mafioz çdo shqiptar e ka kuptuar se i përfshirë drejtpërdrejt është vetë Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt politikë.  Kapitullimi i shtetit të së drejtës dhe kapja e çdo pushteti në Shqipëri nga Edi Rama me krimin e organizuar, është kërcënimi më i madh për sigurinë dhe të drejtat e çdo qytetari shqiptar.

Ndaj, kauza jetike për të rikthyer sundimin e ligjit dhe për të çliruar qeverisjen nga krimi, ka bashkuar shumicën e shqiptarëve rreth opozitës në betejën për liri, siguri dhe mirëqenie për të gjithë.

Largimi i qeverisë së krimit do të jetë fitorja e parë e kësaj beteje”, tha Spaho./abcnews.al