“Babalja”, Fredi Alizoti dëshmon në gjykatë: Më ofruan 200 mijë euro

schedule19:04 - 17 Shtator, 2019

schedule 19:04 - 17 Shtator, 2019

Në dëshminë e tij para gjykatës, i pandehuri Fredi Alizoti është shprehur se ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, i kishte premtuar 200 mijë euro për realizimin e audiopërgjimit me vëllain e ministrit të kohës Fatmir Xhafaj. Sipas Alizotit, plani ishte bërë që në vitin 2017 nga Albert Veliu. 

Gjykata Penale e Tiranës ka zhvilluar seancën e radhës për të ashtuquajturën dosja “Babale” ku të pandehur për mos kallëzim krimi janë ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, gazetari investigativ Jetmir Olldashi, Albert Veliu që vazhdon të jetë në arrati dhe Fredi Alizoti, person ky që dyshohet se ka imituar zërin e Agron (Geron) Xhafaj audiopërgjimin e publikuar nga Partia Demokratike.

Në seancën e kësaj të marte, Fredi Alizoti ka pranoi akuzën e kallëzimit të rremë dhe rrëfeu para gjykatës dhe prokurorëve se ai me Albert Veliun kanë bërë audio përgjimin.

Plani, sipas Alizotit, ka qenë që në Shtator të 2017-s, por nuk është realizuar pasi Veliu nuk kishte gjetur njerëz të besuar në Vlorë. Më tej, Fredi Alizoti thotë së Albert Veliu e ka kontaktuar sërish dhe i ka thënë se do realizojmë planin.

Alizoti u shpreh se ka pranuar ta bënte audiopërgjimin, pasi bëhej fjalë për 200 mijë euro, që sipas tij, ia kishte premtuar Ervin Salianji. Alizoti, deklaroi se ish-deputetit i ka siguruar stilolapsat për përgjim.

I pandehuri tha se mosmarrja e lekëve, e kishte shtyrë që të tregonte të vërtetën, ndërsa theksoi faktin se ishte ndjerë i kërcënuar. Pas pyetjeve të prokurorëve Fredi Alizoti i është përgjigjur edhe pyetjeve të avokatit të Ervin Salianjit, Indrit Sefa.

Avokati ngriti dyshime në lidhje me thëniet e të pandehurit, duke e pyetur se përse në disa përgjime Alizoti fliste miqësisht me drejtorin e Policisë së Fierit. I pandehur është shprehur se nuk i kishte miq, por se tek ata ndihej i sigurtë.

Avokati Sefa shtoi më tej se personaliteti i të pandehurit nuk është i besueshëm dhe se ai ka implikuar në këtë histori njerëz që nuk i njeh dhe as i ka parë ndonjëherë në jetë.

Në seancën e shkuar Gjykata e Tiranës ka marrë edhe dëshmitë e personave të përfshirë në këtë çështje. Në audiopërgjimin e publikuar nga PD dyshohet se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj ishte i përfshirë në trafik droge./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!