Ervin Salianji në një deklaratë për mediat ditën e sotme nga selia blu ka publikuar përgjimet e Alfred Alizotit për dosjen “Babale”
Sipas Salianjit Edi Rama ka përdorur pushtetin e tij ka sajuar dosjen kundër opozitës, ka shpikur aktorët kundër saj, ka manipuluar duke hequr prej dosjes përgjimet zyrtare që implikojnë në mënyrë flagrante dëshmitaren e sajuar të qeverisë dhe drejtues të lartë të policisë së shtetit, të cilët po përdoren sot, dhe janë e vetmja alibi, dhe provë e prokurorisë, në gjyqin kundër opozitës.
Salianji tha se sot u paraqitën disa prej përgjimeve ku paguhet dëshmitari Alizoti prej drejtuesve të lartë, drejtorit dhe nëndrejtorit të policisë së Fierit dhe shumë përgjime të tjera të cilat nuk janë transkriptuar nga ana e prokurorisë.
“Këto video faktojnë qartësisht vënien e qeverisë në shërbim të krimit dhe më pas të mbulimit të krimit për të shpëtuar fytyrën qeverisë. Sajimin e dëshmitarit të rremë zbulohet edhe në përgjime zyrtare të prokurorisë. Përgjimi zyrtar me drejtorin e Policisë së Fierit dhe me nëndrejtorin fakton se policia është vënë në shërbim të qëllimit politik të qeverisë Rama për të fshehur të vërtetën e vëllait të ministrit të brendshëm në detyrë atë kohë. Dokumentet zyrtare faktojnë se përveç gazetarit që po investigonte Agron Xhafaj dhge Albert Veliu ishin nën survejim nga shërbimi sekret por edhe nga prokuroria e krimeve të rënda për transportin e një sasie marramendëse Cannabis sativa në drejtim të Italisë. Faktet tregojnë se pushtetin e kanë në dorë kriminelët dhe nënshtrimin e policisë për interesa politike. Për fat të keq të gjitha këto nuk janë marrë si pjesë e hetimit”, tha Salianji.
Më tej në përmbyllje të fjalës së tij Salianji njoftoi se ditën e nesërme do të ketë publikime të reja të përgjimeve të bisedave për çështjen “Babale” që sipas Salianjit nuk janë marrë parasysh dhe se faktojnë lidhjen e shtetit me krimin.
“Nesër në 10 fakte dhe prova të reja shkencore që faktojnë në mënyrë të padiskutueshme të gjithë atë që ne kemi thënë deri më sot”, tha Salianji./abcnews.al