BBC ka transmetuar dëshmi tronditëse të një burri nga Havai, i cili u detyrua të hynte në oqean me familjen e tij për t’i shpëtuar zjarrit katastrofik, i cili kaplo resortin e Lahaina. Vixay Phonxaylinkham u shpreh se familja e tij ishte vetëm një nga të shumtët që iu desh të hynin në ujë për të shpëtuar jetën e tyre.
Ai përshkroi situatën dramatike, shpërthimet e veturave, por edhe disa momente vërtet të frikshme ku oqeani për pak ia mori fëmijët.
“Gruaja ime, pesë fëmijët tanë dhe unë, të gjithë shkuam në oqean. Ne gjetëm një dërrasë që notonte, të gjithë u ngjitëm mbi të. Gjithçka ishte në flakë rreth nesh. Veturat po shpërthenin. Prushi i zjarrtë fluturonte rreth e rrotull. Nuk mund të merrja frymë. Nuk kishte ajër, vetëm monoksid karboni. Gjeta një pjatë metalike dhe e vendosa mbi kokën tonë, sepse zjarri ishte gjithandej rreth nesh. Në një moment oqeani pothuajse i mori fëmijët e mi”, tha kryefamiljari, i cili nuk i mbajti dot lotët
Ai shprehet se kishin menduar se do të vdisnin, por fatmirësisht burri është gjallë bashkë me gruan dhe fëmijët e tij.
“Por ne jemi këtu ku jemi. Ne mbijetuam. U mbërthyen së bashku. Unë thashë se nuk do të vdesim në atë mënyrë.”, shtoi ai.