Azilkërkuesit nga Meksika shpresojnë të hyjnë në SHBA pas rregullave të reja të imigracionit

schedule20:36 - 13 Maj, 2023

schedule 20:36 - 13 Maj, 2023

Lupita, 36 vjeç, nga shteti Michoacan i Meksikës, ka qëndruar për tre muaj në një strehë, në pritje për të aplikuar për azil në Shtetet e Bashkuara. Shenjat e këtij rrugëtimi janë të dukshme, ajo ka plagë në krahë, shpatull dhe bark.

Që prej marsit të vitit 2020, kur nisën të zbatoheshin kufizimet e lidhura me koronavirusin, meksikanët si Lupita ndaloheshin të kërkonin azil në Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet gëzonin të drejtën të kthenin mbrapsht imigrantët në kufirin SHBA-Meksikë, nën arsyetimin e parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Kjo ndryshoi të premten, kur skadoi urdhri ekzekutiv i cili u dha mundësi, për rreth 3 vjet autoriteteve amerikane, që të refuzonin kërkesat për azil, e të dëbonin menjëherë imigrantët, që mbërrin në kufirin jugor të vendit.

Në strehën në qytetin Tijuana në Meksikë, në kufirin me San Diegon, në Kaliforni, avokatët e imigracionit, po këshillojnë emigratët të aplikojnë në një portal qeveritar CBP One, për një takim në një pikë kufitare, nëse duan të kenë një shans për të fituar azilin.

Me skadimin e urdhrit ekzekutiv, administrata e zotit Biden vuri në zbatim rregulla të reja sipas të cilave emigrantët nuk do të mund të fitojnë azil nëse nuk ndjekin rrugën ligjore për hyrjen në Shtetet e Bashkuara, si përshembull dërgimi i kërkesës në portalin qeveritar CPB One.

Lupita, po përpiqet të sigurojë një takim përmes këtij portali. Ajo thotë se u largua nga vendi i saj pasi bashkëshorti iu vra nga të shtënat e karteleve, vitin e shkuar. Vetë ajo mbeti e plagosur.

Lupita, e cila kërkoi të mos jepte identitetin e saj të plotë ose të fotografohej nga frika e hakmarrjes, tha se prokurorët i kishin thenë se objektiv i karteleve nuk ishte bashkëshorti i saj, por dikush tjetër. Megjithatë, ajo ka frikë se të qenit dëshmitare e vrasjes, e rrezikon atë dhe fëmijët e saj. Agjencia e lajmeve Reuters nuk ishte në gjendje të konfirmonte në mënyrë të pavarur dëshminë e saj.

“Këtë e bëj për fëmijët e mi,” tha Lupita. “Unë nuk mund të kthehem në shtëpi.”

Meksikanët përfaqësojnë rreth një të tretën e të gjithë emigrantëve të kapur nga Patrulla Kufitare e Shtetetet e Bashkuara në vitet e fundit, por në 2021 dhe 2022, në zbatim të urdhtrit ekzekutiv, ata u dëbuan më shumë se 90% të rasteve.

Urdhri i ri për migracionin lejon kthimin e menjëhershëm mbrapsht, të atyre imigrantëve që nuk kanë kërkuar azil, në një nga vendet që kanë kaluar, përpara se të mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara.

Përjashtim do të ketë vetëm për rrethana jashtëzakonisht imponuese, si urgjencat mjekësore akute, apo kur bëhet fjalë për persona viktima të një formë të rëndë trafikimi të qënieve njerëzore, apo që përballen me një kërcënim të menjëhershëm dhe ekstrem në Meksikë. Po kështu rregullat e reja mbi azilin nuk do të zbatohet për fëmijët, që udhëtojnë vetëm, të pashoqëruar nga prindërit, apo të afërmit e tyre.

Imigrantët që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme, nuk do të lejohen të hyjnë në territorin amerikan për pesë vjet dhe mund të përballen me ndjekje penale, nëse do të tentojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

Autoritetet amerikane kanë thënë se do të pranojnë deri në 30,000 vetë në muaj, nga Venezuela, Haiti, Nikaragua dhe Kuba, për sa kohë që ata vijnë me rrugë ajrore, kanë një person që del garant për ta i cili paguan për strehimin dhe aspektet financiare të tyre, dhe pasi të kenë aplikuar fillimisht online./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!