Komisioni Europian ditën e sotme prezantoi Progres Raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor. Për Shqipërinë KE evidentonte faktin se kishte përmirësim në disa fusha me fokus gjyqësorin, por si gjithmonë mbetet edhe shumë për t’u bërë për të arritur standardet e kërkuara nga Brukseli. Një temë e nxehtë e diskutuar edhe në muajt e fundit ka qenë azilkërkimi.
Por çfarë thotë raporti për këtë fenomen lidhur me Shqipërinë? Raporti thekson se numri i shtetasve shqiptarë që paraqitën kërkesa për azil në shtetet anëtare të BE -së u ul me 66% në vitin 2020 në krahasim me vitin 2019 dhe kjo për shkak të pandemisë. Por pavarësisht se shifrat janë ulur, KE kërkon angazhim nga autoritetet shqiptare për të informuar qytetarët e tyre që kërkesat për azil në vendet e BE-së nuk do të pranohen, pasi Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta.
“Shqipëria rriti veprimet për të trajtuar migrimin e parregullt dhe vazhdoi të forcojë bashkëpunimin operacional me Shtetet Anëtare më të prekura nga migrimi i parregullt nga Shqipëria. Gjithashtu forcoi përpjekjet për të rritur ndërgjegjësimin e popullatës për të drejtat dhe detyrimet e regjimit pa viza, si dhe ndëshkimet për shkeljet e tyre.
Çështja e shtetasve shqiptarë që bëjnë kërkesa të pabazuara për azil në Shtetet Anëtare të BE-së dhe vendet e lidhura me Shengenin ende kërkon përpjekje thelbësore nga autoritetet shqiptare. Përveç fushatave informative, kontrolleve të plota kufitare, ndërgjegjësimit mbi të drejtat dhe detyrimet nën regjimin pa viza dhe identifikimin dhe adresimin e arsyeve themelore, dialogun dhe bashkëpunimin me vendet më të prekura nga çështja e kërkesave të pabazuara për azil të paraqitura nga shtetasit shqiptarë.
Tre oficerë ndërlidhës të policisë shqiptare janë vendosur në BE dhe një oficer ndërlidhës nga BE punon në Tiranë për të ndihmuar me kontrollet e daljes. Komisioni po monitoron trendin nga afër në kuadrin e mekanizmit të monitorimit të pas liberalizimit të vizave.
Sipas të dhënave të Eurostat, numri i shtetasve shqiptarë që paraqitën kërkesa për azil në Shtetet Anëtare të BE -së u ul me 66% në vitin 2020 në krahasim me vitin 2019, nga 20,415 në 6,935 aplikime. Pandemia COVID-19 kontribuoi në pjesën më të madhe në këtë rënie të mprehtë.
Në vitin 2020, 6,180 shtetasve shqiptarë iu refuzua leja për të dalë nga territori shqiptar në pikat kufitare krahasuar me 14,224 në vitin 2019 (një reduktim prej rreth 56%). Kjo është për shkak të pandemisë COVID-19, por edhe për shkak të masave të vendosura nga autoritetet shqiptare dhe fushatave të ndërgjegjësimit të ngritura mbi të drejtat dhe detyrimet që lidhen me udhëtimin pa viza në zonën Shengen. Kishte një rritje të mprehtë të numrit të dokumenteve të falsifikuara të sekuestruara, përfshirë pasaportat e BE -së, të përdorura kryesisht nga shtetasit shqiptarë për të arritur destinacionet në BE.
Të miturit e pashoqëruar që udhëtojnë nga Shqipëria në Shtetet Anëtare të BE -së mbeten një burim shqetësimi. Autoritetet shqiptare duhet të vazhdojnë të punojnë ngushtë me Shtetet Anëtare më të prekura. Vëmendje më e madhe duhet t’i kushtohet riintegrimit të suksesshëm të të kthyerve, veçanërisht atyre më të cenueshëm, siç janë romët dhe egjiptianët. Riintegrimi i të kthyerve duhet të përmirësohet me caktimin e qartë të përgjegjësive midis aktorëve kombëtarë dhe vendorë. Ekzistojnë pak të dhëna për numrin e të kthyerve në Shqipëri” theksohet në raport./ Abcnews.al