Ishte e pritshme e madje mund të kishte ndodhur më shpejt. Federata Shqiptare e Futbollit njofton se janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen e kombëtares këtë të enjte, dhe kjo rreth dy ditë para sfidës.
Në dispozicion të shqiptarëve ishin vendosur 3 000 hyrëse, ose 5 për qind e kapacitetit të Stadiumit Kombëtar në Varshavë. Natyrisht, vonesa erdhi vetëm për shkak të procedurës, sepse pas aplikimit për biletë, kishte një proces përzgjedhjeje për ata që do ta fitonin këtë të drejtë, e më pas do të dërgohej linku përkatës për t’u shfrytëzuar në Varshavë.
Federata u përpoq që të siguronte më shumë hyrëse, rreth 5 000, por kërkesa e saj u hodh poshtë nga homologës polakë. Informacioni është dhënë një ditë më parë se përkrahësit kuqezinj do të hyjnë në krahun verilindor të stadiumit, nga rruga Sivca, nëpërmjet hyrjes L, ndërsa për invalidët vlen Porta 1.
Interesimi është i madh sepse kjo është ndeshja e parë që kombëtarja shqiptare zhvillon në plej ofin e Kupës së Botës, dhe ka mundësi të kualifikohet po për herë të parë në fazën finale të një Botërori. Për këtë arsye, pritet që në stadium të ketë më shumë se 3 000 tifozë kuqezinj, sepse mjaft prej tyre mund të kenë siguruar bileta në rrugë private.


