Autoriteti i konkurencës shkel ligjin, KLSH: Kryetarja nuk lejoi auditin

schedule14:40 - 5 Shkurt, 2020

schedule 14:40 - 5 Shkurt, 2020

Autoriteti i Konkurencës është një institucion i cili duhet të sigurojë konkurencën e lirë në treg. Por në rastet kur nuk e kryen detyrën që i përket gjen si zgjidhje që të mos japë asnjë informacion.

Në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit konstatohet se Autoriteti i Konkurencës nuk ka dhënë informacionin e kërkuar në lidhje me konkurencën në tregun e sigurimeve duke shkelur ligjin. Në raport  thuhet se grupi i auditimit i KLSH  i nisi një email zyrtar kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, znj. Juliana Latifi, duke i bashkëngjitur intervistën me pyetjet përkatëse, por që ende nuk ka marrë asnjë përgjigje. Autoriteti i Konkurencës citohet në raportin e KLSH ka penguar mbarëvajtjen e punës së grupit auditues duke shkelur, kështu, edhe Ligjin  “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në bazë të këtij ligji Kontrolli i Lartë i Shtetit ka të drejtë për të pasur akses në të gjitha dokumentet zyrtare, madje edhe mbi çdo dokumentacion që mund të përbëjë sekret shtetëror apo konfidencial, por  që konsiderohen të nevojshme në funksion të ushtrimit të kompetencave dhe detyrave të tij ligjore. Madje në ligj parashikohet që në rast të hasjes  së pengesave, Kontrolli i Lartë i Shtetit i drejtohet edhe organeve të pushtetit gjyqësor. Si rezultat i mungesës së bashkëpunimit të Autoritetit të Konkurrencës me grupin e auditimit, nuk është arritur që të vlerësohet puna që ky autoritet ka dhënë në funksionimin e tregut të sigurimeve. Përtej kësaj Kontrolli i Lartë i Shtetit ka arritur në përfundimin se edhe bashkëpunimi midis institucioneve ka qenë i dobët.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar në bashkëpunimin me Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare për sigurimin e një konkurrence të lirë dhe të ndershme në tregun e sigurimeve, ndërsa ky treg shfaq tiparet e një oligopoli./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!