Autori identifikohet nga targat/ Atentati në “Don Bosko”, 23 vjeçari i dyshuar kishte marrë makinë me qera

schedule15:17 - 26 Tetor, 2024

schedule 15:17 - 26 Tetor, 2024

Denis Tahiri, 23 vjeçari nga Kamza që u shpall në kërkim nga policia si autor i dyshuar i atentatit në 3 shtator në Don Bosko, ku mbetën të plagosur Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi, u identifikua nga targa e mjetit të përdorur në ngjarje.

Policia fillimisht zbuloi se kujt i përkisnin targat e mbivendosura në mjetin e përdorur nga autorët dhe pasi mori në pyetje pronarin e makinës, rezultoi se ai ia kishte dhënë me qira Denis Tahirit.

I riu e kishte marrë mjetin me qira pak ditë para se të ndodhte ngjarja dhe targat ia kishte vendosur mjetit tip Golf 5 që autorët dogjën pas krimit në periferi të Tiranës.

Po ashtu shenjat e gishtave të tij kanë ndihmuar edhe në përforcimin e dyshimeve të policisë, pasi u krahasuar me ato të gjetura në mjet.

Dyshohet që 23 vjeçari të jetë brenda territorit shqiptar, por ende nuk është mundur të arrestohet.

Për 23 vjeçarin Denis Tahiri, gjykata ka caktuar në mungesë masën arrest në burg, duke e akuzuar për veprat penale, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe armëmbajtje pa leje.

Ai kishte rolin e qitësit në ngjarje, bashkë me një tjetër person, identiteti i të cilit nuk është zbuluar.

Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi u qëlluan me armë nga një makinë në lëvizje teka po pinin kafe në verandën e një lokali në Don Bosko.

Pas krimit, autorët dogjën makinën në dalje të Kamzës, brenda së cilës u gjet pistoleta me silenciator.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!