Automjet i dyshimtë në Shtëpinë e Bardhë, alarmohen shërbimet sekrete

schedule19:34 - 21 Shkurt, 2018

schedule 19:34 - 21 Shkurt, 2018

Një automjet i braktisur pranë Shtëpisë së Bardhë ka vënë në alarm shërbimet sekrete amerikane, të cilat kanë ndaluar lëvizjen brenda zonës dhe evakuuar një ndërtesë qeveritare, deri në zgjidhjen e problemit.

Shërbimet sekrete amerikane evakuuan këtë të mërkurë një ndërtesë qeveritare në Uashington dhe bllokuan përkohësisht qarkullimin në një rrugë të kryeqytetit, pas konstatimit të një makine të dyshimtë pranë Shtëpisë së Bardhë.

Mjeti u gjet i braktisur në rrugën numër 17 rreth orës 8 të mëngjesit, me orën lokale. Shërbime të shumta të emergjencave mbërritën në vendin e ngjarjes dhe bllokuan një pjesë të rrugës, si dhe të shëtitores Pensilvania dhe sheshit Lafajet. Ndërkohë, pjesëtarë të shumtë të stafit të Shtëpisë së Bardhë u kthyen mbrapsht dhe nuk u lejuan të hynin në ambjentet e punës.

Sipas mediave amerikane, ishin rreth 100 punonjës që u mbajtën në një park, derisa agjentët kryen hetimet e nevojshme. Shërbimet sekrete e deklaruan automjetin të sigurtë rreth orës 9 dhe 20 minuta më vonë, përmes një mesazhi në Tëitter bënë të ditur se ekspertët e eksplozivit e kishin pastruar atë. Më pas bllokadat në rrugë u hoqën, por shëtitorja Pensilvania dhe parku Lafajet mbetën të mbyllura. Pas operacionit, punonjësit u lejuan të hynin në Shtëpinë e Bardhë dhe në Zyrën e Re Ekzekutive, që ishte evakuuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!