Autobiografia “Unë” e Elton John, përkthyesja rrëfen detaje nga libri i tij

schedule08:23 - 31 Korrik, 2020

schedule 08:23 - 31 Korrik, 2020

Autobiografia “Unë” e Elton John tashmë mund të gjendet edhe në shqip. Në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ishte e ftuar përkthyesja Manushaqe Bako, për të folur për rrëfimin e këngëtarit legjendar në autobiografinë e tij. Ajo vuri në dukje mënyrën mbrësëlënëse të të shkruarit të autobiografisë së realizuar nga vetë John, në të cilën rrëfen jetën e tij ashtu siç e ka përjetuar.

“Është autobiografi, e ka shkruar vetë ai. Është e habitshme se si mund ta ketë shkruar kaq bukur duke qenë se nuk është shkrimtar, por duket se kultura e gjerë e ka ndihmuar të shkruajë si një shkrimtar i mirëfilltë. Më tepër se sa polemika , autobiografia ka shkaktuar një reagim shumë pozitiv, është vlerësuar për mënyrën e të shkruarit, rrëfimin dhe sinqeritetin dhe mbi të gjithë për mbulimin e të gjithë jetës së vet në 370 faqe të librit.”, tha Bako.

John shkruan në libër edhe për miqësinë me Freddie Mercury, familjen mbretërore britanike, dhe deri tek interpretimi në ceremoninë mortore të Lady Dianës.

“Jeta e tij aktive muzikore përfshin 5 dekada, dhe ne kemi filluar ta njohim pas viteve ’90 dhe ajo që ne njohim është një numër këngësh shumë të njohura, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në muzikë. Por mbulon në këtë autobiografi të gjithë fëmijërinë e vet dhe duket sikur i kushton mënyrën se si është rritur, problemet, druajtjen që ka patur në fëmijëri dhe mënyra se si kjo ka ndikuar në jetën e vet qoftë në atë muzikore dhe personale.”, tha Bako.

Ndër te tjera, ai flet dhe për ish-bashkëshorten Renate Blauel, e cila e ka hedhur në gjyq këngëtarin për dëm psikologjik, ndaj të cilit kërkon kërkon 3 milionë paund dëmshpërblim, pasi pretendon se John ka shkelur marrëveshjen e divorcit.

“Renaten e përshkruan në libër si një njeri mjaft pozitiv duke menduar se ndoshta kishte gjetur njeriun e duhur për të krijuar një lidhje dhe në të gjithsë kapitullin e përshkruan atë si një grua të fortë, punëtore dhe mjaft pozitive, dhe nuk ka hyrë në detaje intime gjatë lidhjes së tyre.”, tha ndër të tjera Bako. /abcnews.al/