Austria ka publikuar masat për ndërprerjen e asistencës për emigrantët. Askush nuk do të mund të kërkojë një ndihmë të tillë për të paktën 5 vjet dhe ata pak që do të mund ta sigurojnë duhet të kenë njohuri të gjuhës gjermane.
Koalicioni qeverisës në Austri ka publikuar planet e tij për të reduktuar pagesat sociale për emigrantët, përfshirë refugjatët, një lëvizje kjo që synon dekurajimin e ardhjeve të reja. Gjithashtu, emigrantëve do t’u hiqet e drejta për të kërkuar përfitime të tilla për 5 vjet. Kancelari konservator Sebastian Kurz, i cili aktualisht qeveris bashkë me të djathtën ekstreme, është zotuar se do të ndjekë një linjë të ashpër ndaj emigracionit klandestin. Vitin e kaluar, gjatë fushatës elektorale ai e tha hapur se do të anulonte ndihmat për refugjatët dhe do të bllokonte rrugët e trafikimit të tyre për në Europë. “Ligji bazë që ne do të prezantojmë parashikon se gjuha gjermane do të jetë çelësi për të përfituar ndihmën minimale. Që do të thotë se kush ka mangësi gjuhe nuk do të ketë akses tek ajo”, tha Cruz ditën e hënë. Njoftimi i kancelarit vendos Austrinë përballë pjesës tjetër të Bashkimit Europian, për shkak se rregullat për lirinë e strehimit u kërkojnë vendeve anëtare që t’i trajtojnë qytetarët njësoj. Koalicioni qeverisës austriak mes Partisë konservatore Popullore dhe Partisë për Liri nga e djathta ekstreme u formua dhjetorin e kaluar, pas zgjedhjeve të mbajtura në tetor. Fushata elektorale që i parapriu procesit u dominua nga kriza e emigrantëve. Në vitin 2015, në kulmin e krizës, mbi 90 mijë persona aplikuan për azil në Austri, pak më shumë se 1 për qind e popullsisë vendase. Fillimisht refugjatët u mirëpritën, por qasja e vendasve ndryshoi shumë shpejt. /abcnews.al