Austria favorite përballë Turqisë, “Aristokratët” e Evropës ëndërrojnë çerekfinalet e Euro 2024

schedule13:53 - 2 Korrik, 2024

schedule 13:53 - 2 Korrik, 2024

Pakkush ka bindur më shumë se ata. Futbollistët e Austrisë mund të jenë krenarë që kanë nderuar vendin e tyre në Kampionatin Evropian, dhe mund të vazhdojnë t’i nderojnë, me skuadrën e teknikut Ralf Rangnick, që do të sfidojë Turqinë në sfidën e fundit, të fazës së 1/16-ve, të Euro 2024, në orën 21:00 në “Red Bull Arena”, të Lajpcigut, një stadium me të cilin janë të lidhur goxha.

Jo më kot, klubi gjerman i qytetit dhe “gjigantët” austriakë të Salzburg kanë të njëjtin pronar, dhe tekniku gjerman ka punuar aty për disa vjet. Luhet për kalim në çerekfinale dhe Rangnick, që mbiquhet “Profesori”, e di se ka rolin e favoritit ndaj turqve.

Austriakët janë përgatitur të ndërgjegjshëm për formën e tyre më të mirë fizike, dhe për faktin se janë më skuadër. Mungesa e vetme e favoritëve është “fantazisti” i Wolfsburg, Patrick Wimer, i pezulluar, për shkak të kartonëve, duke i liruar vendin e titullarit dyshes Laimer-Baumgartner, me këtë të fundit, që po kalon një formë fantastike me “Kombëtaren”, me plot 3 gola e 2 asistime, në 5 përballjet e fundit.

Në krahun tjetër, turqit e teknikut Vinceno Montella kanë dy mungesa të rëndësishme, kapitenin dhe “arkitekin” e mesfushës, Hakan Çalhanoglu, si dhe mbrojtësin fatkeq, Samet Akaydin, që shkaktoi autogolin ndaj Portugalisë.

Bilanci në përballjet historike mes këtyre dy përfaqësueseve nuk është se ka ndonjë diferencë të madhe, me 9 fitore të austriakëve dhe 7 të turqve, veçse në mars të këtij viti ekipi i Rangnikut arriti një fitore tepër të thellë në miqësore, 6-1, mirëpo në konferencat e fundit për shtyp, të lojtarëve turq, të gjithë janë shprehur se formac aktuale e Kombëtares së tyre, nuk ka aspak lidhje me atë miqësore, që mbetet për t’u harruar. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!