Australia i shpëton eleminimit

schedule18:29 - 21 Qershor, 2018

schedule 18:29 - 21 Qershor, 2018

Danimarka dhe Australia e mbyllën në barazim ndeshjen e tyre në grupin C. Australianët shmangën eleminimin falë penalltisë së kthyer në gol nga kapiteni Jedinak.

Kontinenti ende mbetet në Botëror. Australia, përfaqësuese e një pjese të rëndësishme të rruzullit, e mbajti veten në turne pasi shmangu humbjen ndaj Danimarkës.

Sfida e grupit C në stadiumin e Samarës u përcaktua sërish nga teknologjia, sepse gjyqtari spanjoll Mateu Lahoz u këshillua me VAR-in për të dhënë penalltinë e australianëve.

Prekje me dorë ishte, po ashtu 11-metërshi, ndonëse kartoni i verdhë për Poulsenin u duk tepër. Kapiteni Jedinak nuk gaboi dhe ambicia e skuadrës nga Hemisfera e Jugut bëri të vetën.

Danimarka e nisi më mirë takimin, duke qenë edhe më e qetë pasi kishte fituar ndeshjen e parë ndaj Perusë. Europianët shënuan shpejt, me një aksion-model dhe gol-model nga ylli i Tottenham-it, Cristian Eriksen.

Gjithsesi, kur kujton Danimarkën e viteve 80-të e të viteve 90-të, kjo e sotmja nuk të bën përshtypje. Dëshirë dhe përpjekje për lojë kolektive, por tepër larg stilit dhe frymës sulmuese të epokës së Elkjerit, Lerbit apo vëllezërve Laudrup.

Barazimi duket se lë në pozita më të mira pikërisht danezët, edhe pse mund të mos rezultojë kështu. Ndeshjen e fundit ata e kanë me Francën, ekipin më të fortë të grupit, dhe në rast humbjeje, rrezikojnë eleminimin./abcnews.al