Shqiptari Agim Kruezi, i cili jeton në Australi, është dënuar me 17 vite burg. Ai u shpall fajtor për akuzën e terrorizmit. 25-vjeçari do të kryente një sulm terrorist me armë në Australi.
Një person me origjinë shqiptare nga Queensland në Australi, që po planifikonte një sulm kamikaz në tokën australiane, është dënuar me 17 vjet burgim. 25-vjeçari Agim Kruezi u arrestua në aksionin anti-terrorist në Logan Shtatorin e vitit 2014, dhe u shpall fajtor për përgatitje të një sulmi terrorist dhe për përgatitje për inkursion në një shtet të huaj. Prokurori Lincoln Croëley i tha gjykatës se Kruezi po planifikonte “të vriste njerëz të rastësishëm, të pafajshëm, në një hapësirë publike dhe përfundimisht të vdiste si martir në atë sulm”, raporton ABC News në verisionin australian.
Pas arrestimit, Kruezit i ishin gjetur një armë e mbushur gjysmë-automatike, dy helmeta, dy hanxharë, një letër nga autoritetet që e njoftonte se i ishte anuluar pasaporta, një kopje të një libri të quajtur “Jihad” dhe një flamur të Shtetit Islamik të ngjitur në murin e dhomës së tij të gjumit. Disa ditë para arrestimit të tij, Kruezi kishte blerë një bidon të metaltë me 10 litra benzinë dhe kishte dalë për të blerë shishe qelqi dhe tapa me qëllim të prodhimit të koktejeve të molotovit.
Ai kishte blerë edhe një hark dhe shigjetë sepse ishte hidhëruar me anulimin e pasaportës së tij nga autoritetet australiane, kur kishte planifikuar të shkonte në Siri për të luftuar. Në laptopin e Kruezit ishin dy video të tij teksa qëllonte me shigjetë dhe udhëzime se si bëhet prerja e kokës. Familja e Kruezit qëndroi prapa tij në gjykatë, ndërsa mësuan vendimin./abcnews.al