Austin mbështet një strategji të integruar të frenimit të Kinës

schedule17:19 - 28 Korrik, 2021

schedule 17:19 - 28 Korrik, 2021

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se përballimi i agresionit të Kinës në Azinë Juglindore mund të arrihet përmes asaj që ai e quajti “frenim të integruar”. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb po udhëton me Sekretarin Austin, i cili mbajti një fjalim në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Singapor.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin u takua me aleatët në Singapor dhe është zyrtari i parë i lartë i administratës së Presidentit Biden që viziton Azinë Juglindore.

Ai foli për një vizion të Shteteve të Bashkuara të “frenimit të integruar” për rajonin, një plan për të forcuar aftësitë ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe për të përmirësuar aftësinë e aleatëve për të punuar së bashku për të dekurajuar atë që shumë vende e shohin si sjellje agresive të Kinës.

“Frenim i integruar gjithashtu nënkupton bashkëpunim me partnerët për të frenuar kërcënimin dhe agresionin në të gjithë spektrin e konfliktit, duke përfshirë edhe në të ashtuquajturën “zonë gri”, ku po bëhet presion ndaj të drejtave të njerëzve dhe jetesës së tyre në Azinë Juglindore”, tha Sekretari Austin.

Ai tha se pretendimet territoriale të Pekinit në Detin e Kinës Jugore cënojnë sovranitetin dhe të drejtat themelore të vendeve të Azisë Juglindore, të parashikuara në ligjin ndërkombëtar.

Anijet kineze akuzohen se frikësojnë peshkatarët brenda zonës ekskluzive ekonomike në Filipine, si dhe prodhuesit e naftës dhe gazit në brigjet e Malajzisë dhe Vietnamit, duke penguar zhvillimin e sektorit të energjisë në këto vende.

Pavarësisht pretendimeve territoriale të vendeve të tjera, Kina ka krijuar ishuj të shumtë artificialë në ujërat e pasura me burime natyrore për të mbështetur pretendimet e saj territoriale.

Por ndërsa aleatët lokalë janë të kënaqur që Shtetet e Bashkuara po u ofrojnë atyre ndihmë, ata janë të shqetësuar se dy fuqitë e mëdha mund të shkaktojnë më shumë probleme ndërsa Uashingtoni dhe Pekini po përplasen me njëri-tjetrin.

“Ka shumë ankth në këto vende se ato mund të tërhiqen në tensionet e nivelit të lartë tani midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara për shumë çështje si Xinjiangu, Hong Kongu, Tajvani, dhe Deti i Kinës Jugore. Ata nuk duan të jenë të detyruar të zgjedhin anën e njërit prej këtyre dy vendeve”, tha eksperti Murray Hiebert nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Sekretari Austin tha se administrata e Presidentit Biden nuk po u kërkon aleatëve rajonalë të zgjedhin midis Uashingtonit dhe Pekinit, duke vënë në dukje se shumë partneritete të vendeve të rajonit me Shtetet e Bashkuara janë më të vjetra se Partia Komuniste Kineze.

Ai madje sugjeroi se mund të ketë një bashkëpunim me Kinën në fushat me interes të përbashkët si ndryshimi i klimës.

“Ne nuk do të trembemi kur interesat tona kërcënohen. Megjithatë, ne nuk kërkojmë konfrontim. Kështu që më lejoni të jem i qartë: si Sekretar i Mbrojtjes, unë jam i përkushtuar në kërkimin e marrëdhënieve konstruktive dhe të qëndrueshme me Kinën”, tha zoti Austin.

Ekspertët paralajmërojnë se përpjekja për një marrëdhënie të qëndrueshme mund të jetë mënyra më e mirë për të ulur tensionet, të cilat po i afrohen nivelit më të lartë të të gjitha kohërave mbi çështje të ndryshme si Tajvani dhe Deti i Kinës Jugore./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!