Aktorja Aurita Agushi i është drejtuar me një letër të hapur aktorit të njohur amerikan, Harvey Keitel ku i kërkon që të mos jetë pjesë e filmit propagandues serb, për të ashtuquajturën “Shtëpia e verdhë“, që sipas tyre shqiptarët kanë kryer krime mbi popullatën serbe.
Në një lidhje live në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, aktorja rrëfeu se iu drejtua vetë aktorit që mendohet se do të luajë, dhe jo produksionit, për shkak se ky i fundit financohet nga qendra kinematografike serbe.
“Meqenëse është megastar, ndërsa sa i përket produksionit është pikërisht produksioni që bën filmin propagandë dhe duke patur parasysh do e financojë qendra kinematografike e Serbisë letra ime do të haste në vesh të shurdhër. Prandaj i jam drejtuar atij se ndikimi është më i madh se sa produksioni i cili financohet nga qendra kinematografike serbe.
Të mos pranojë të luajë në një film propagandues të një regjimi që ka bërë tre luftra brenda 10 viteve në Ballkan dhe ka lënë qindra mijëra varre të pagjetura. I kam përmendur faktet historike, se ky popull ka vuajtur mjaft nga regjimi i Millosheviçit dhe duhet të bëjmë çmos ta pengojmë propagandën serbe.”, tha aktorja.
Ajo shprehu indinjatë për reagimin e qeverive të dy vendeve shqiptare, në një kohë kur Kosova vazhdon të preket nga propaganda serbe.
“Në një mënyrë duke iu drejtuar atij i jam drejtuar dhe qeverisë tona. Qendrat e filmit kanë bërë përpjekjet e tyre po nuk është i mjaftueshme, kur nuk ka përkrahjen e duhur nga shteti. Nuk mund të bëjmë më shumë pa përkrahjen e shtetit. Këta tanët nuk kanë kohë se duhet të hahen me njëri-tjetrin. Letra ime nuk është interes personal, por nacional.
Jam e frustuar duke parë që në vazhdimësi Kosova vazhdon të lëndohet nga propaganda e shtetit serb, sepse njerëzit nuk bëjnë asgjë, nuk jemi aq të varfër sa të mos bëjmë një film si duhet, por të varfër në shpirt dhe në mendje.“, tha aktorja ndër të tjera. /abcnews.al/