Audio Përgjimi/ Biba reagon për PD: Përgojim masiv me emrin tim

schedule17:17 - 29 Gusht, 2018

schedule 17:17 - 29 Gusht, 2018

Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Denar Biba shprehet i shqetësuar nga deklaratat e Partisë Demokratike për audiopërgjimin ku ai bisedon me gjyqtarin e Strasburgut Ledi Bianku. Ndërkohë ai i drejton disa pyetje Lulzim Bashës dhe Gazmend Bardhit.

Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka reaguar sërish. Këtë herë nga facebook-u Denar Biba komenton deklaratat e Partisë Demokratike lidhur me bisedën e përgjuar mes tij dhe gjyqtarit të Strasburgut Ledi Bianku.

“Jam personalisht dhe familjarisht i shqetësuar për këtë përgojim masiv që po i bëhet emrit tim“.

Denar Biba i drejtohet kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe Këshilltarit Ligjor në selinë blu Gazmend Bardhi.

Pranon se janë të dy juristë në profesion, shprehet se nuk njohin procedurat e  Gjykatës së Strasburgut dhe ndërsa përmend një ndër veprat penale që Basha tha se Biba dhe Agaçi kanë kryer atë të “Ushtrimit  të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” iu drejton disa pyetje.

“Çfarë premtimi apo sigurimi kishte në dorë të më jepte Ledi Bianku, që une të merrja mundimin ta influencoja? 

A e dini që biseda nuk kishte lidhje me marrjen e një vendimi gjyqësor, por me një vendim tashmë të marrë nga Gjykata; thjesht kërkohej shtyrja e afatit të ekzekutimit të tij?

A e dini që Shteti shqiptar e kishte marrë edhe më herët një shtyrje prej 18 muajsh në lidhje me ekzekutimin e detyrimit ndaj ish-pronarëve dhe se “moratoriume” të ngjashme Shtetet palë të Konventës kanë të drejtë legjitime t’i kërkojnë kur të duan e sa herë të duan? 

A e dini që kjo tipologji kërkesë s’ka të bëjë fare me vendimmarrjen tradicionale gjyqësore të GJEDNJ në lidhje me ankimet ndaj Shteteve palë, por është një kërkesë e pastër politike dhe produkt i një vendimmarrje politike, në varësi të situatës politiko-ekonomike e sociale që kalon Shteti përkatës?

Sepse “ndikimi i paligjshëm” synon të përfitojë përmes premtimit diçka që përndryshe, në respekt të fakteve, ligji e ndalon.

 Çfarë paligjshmërie është të diskutosh, t’i marrësh mendim, apo qoftë edhe të përpiqesh të bindësh cilindo, qoftë ky edhe një gjyqtar i Gjykatës së Strasburgut, për të siguruar një shtyrje afati deri sa situata në vend të rregullohet përmes një ligji të Shtetit tënd?

A mund të më tregoni nenin dhe ligjin që kam shkelur?

Si ka mundësi që nuk reagoi Gjykata e Strasburgut pasi u vu në dijeni nga z.Bianku se ndaj tij ishte ushtruar një ndikim i papërshtatshëm? 

Pasi pranon se edhe mund të jetë përpjekur të bindë gjyqtarin e Strasburgut për të marrë vendimin e dëshiruar Denar Biba përsëriti se audio përgjimi i publikuar në media është një montazh i keq i një bisede bërë në një kafene me një mik në vitin 2014. Ndërkohë ngre pikëpyetje se pse ky audio përgjim doli në dritë katër vite më pas. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!