Këtë të enjte ishte i ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, Erin Kujofsa për të folur për përvojat e tij në aktrim. Ka vetëm pak vite që ka përfunduar Universitetin e Arteve, dhe Erini ka arritur të jetë pjesë e një sërë rolesh të rëndësishme, mes të cilëve dhe me debutimin e tij në serialin “Familja Kuqézi”.
Erini është djali i Fadil Kujofsës, aktorit të mirënjohur të kinematografisë shqiptare, dhe sigurisht nuk kishte si të mos merrte nga babai i tij talentin në aktrim. I rritur në një familje artistësh, pasi dhe e motra e tij Lisa prej shumë vitesh tashmë është pjesë e ekranit shqiptar, Erini thotë se atmosfera artistike brenda shtëpisë së tij, ndikoi padyshim në zgjedhjen e tij të jetës.
“Familja jonë është rritur me art. Shikonim babin në Teatër dhe përjetoje kënaqësinë e një loje të sinqertë që ndodhte në skenënë e Teatrit Kombëtar. Dilja në rrugë me babin, e përshëndesnin dhe ishte një privilegj i madh. Gjithmonë kemi patur lirinë e fjalës dhe të drejtën e argumentit për të qenë në një debat. Pa dashje kjo atmosferë ndikoi të zgjidhja artin dhe pse babai më tha mendohu mirë se nuk ka shumë të ardhura dhe do të gjesh shumë vështirësi.” , thotë ai.
Ndonëse jemi mësuar ta shikojmë në role komediane, ai thotë se dëshira e tij e madhe është të luajë në një dramë. Së fundmi, atë e kemi parë pjesë e një shfaqjeje që realizohet nëpër vende të ndryshme në kryeqytet nëpër lagje apo lokale. xh.d/abcnews.al

