Në çatinë e planetit sërish u ul superfuqia e këtij sporti. Shtetet e Bashkuara të Amerikës triumfuan me dominim në Botërorin e atletikës, veçse në mbrëmjen e fundit duhet veçuar një e papritur.
Kjo surprizë quhet Botsvana, dhe skuadra e shtetit afrikan i habiti të gjithë duke fituar medaljen e artë në stafetën 4×400 metra për meshkuj.
Katër atletët sfiduan shiun në stadiumin e Tokios në Japoni, dhe kaluan fare në fund skuadrën amerikane dhe atë jugafrikane.
Koha e Botsvanës ishte 2’57”76, vetëm 7 të qindat më shumë sesa Shtetet e Bashkuara dhe Afrika e Jugut.
Gjithsesi dita e fundit e Kampionatit Botëror ishte amerikane.
Shtetet e Bashkuara fituan stafetën 4×100 metra për meshkuj me kohën 37”29, që është më e mira për këtë vit.
Në vendin e dytë doli Kanadaja dhe në vend të tretë Holanda, që vendosi rekordin e ri kombëtar. Në stafetën 4×100 metra për femra, vajzat amerikane kryesuan për një kohë të gjatë, dhe pastaj arritën medaljen e artë, ndonëse Xhamajka u afrua shumë në finish.
Koha fituese ishte 41”75, katër të qindtat më mirë sesa xhamajkanet, me Gjermaninë që mori bronzin.
Shtetet e Bashkuara arritën një rezultat të shkëlqyer në 4×400 metra për femra, duke thyer rekordin e kampionatit botëror që mbahej nga e njëjta skuadër që në vitin 1993.
Koha ishte 3’16”61, dhjetë të qindtat më mirë se rekordi I mëparshëm, ndonëse rekordi I botës I mbetet stafetës së madhe të dikurshme të Bashkimit Sovjetik me 3’15”17, vendosur që në 1988 në Seul, me yje të tilla si Ledovskaja apo Nazarova.
Në këtë Botëror, amerikanet lanë shumë prapa Xhamajkën dhe Holandën.
Shtetet e Bashkuara fituan të artën edhe në 200 metra për femra apo në 5 000 metra për meshkuj.
Në 800 metra për femra, atletia nga Kenia, Odira, i shtangu të gjithë duke marrë titullin me rekordin e kampionatit 1’54”62, ndërsa britaniket Hanter Bell e Hoxhkinson fituan argjendin dhe bronzin.
Në hedhjen e diskut triumfoi suedezi Daniel Stal me hedhjen e fundit prej 70 metrash e 47 centimetrash duke lënë pas lituanezin Alekna dhe Aleks Rouzin nga Samoa./abcnews.al


