Atentati në Vlorë/ Targa e automjetit të djegur e dubluar në Kamëz, në lagje mungoi energjia elektrike pas vrasjes

schedule10:13 - 8 Janar, 2024

schedule 10:13 - 8 Janar, 2024

Të paktën 14 persona janë shoqëruar nga policia lidhur me atentatin e ndodhur një natë më parë në Vlorë. Viktimë mbeti 23-vjeçari Gëzim Sinomati, i cili dyshohet se u qëllua me snajper sapo doli në ballkonin e banesës së tij.

Gazetari Elton Nika tha për ABC News se targat e automjetit që u gjet i djegur pas atentatit, rezulton të jetë dubluar në Kamëz. Nuk dihet ende nëse automjeti mund të jetë grabitur në një qytet tjetër.

Theksohet fakti se në zonë nuk ka pasur energji elektrike për gati 10 minuta pasi ka ndodhur ngjarja dhe kjo mund të vështirësojë edhe identifikimin e lëvizjeve të autorëve. Policia e Vlorës dyshon se mungesa e energjisë elektrike të ketë ardhur për shkak të motit të keq në zonë.

Ndërkohë nga informacionet paraprake dyshimet janë se i riu mund të jetë qëlluar nga një automjet, por nuk përjashtohet edhe fakti që 23-vjeçari të jetë ekzekutuar nga një objekt që është në ndërtim e sipër, shumë pranë banesës së të riut.

Megjithatë hetimet janë ende në vijim dhe autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Mund të jetë qëlluar nga automjet, por mund të jetë qëlluar edhe nga një objekt në ndërtim e sipër, shumë pranë banesës së 23-vjeçarit. Këto janë dyshimet e para të Policisë së Vlorës”, tha për ABC News, gazetari Elton Nika.

/abcnews.al/