Në makinë me viktimën e atentatit në Grudë të Shkodrës, Ferdinand Polia, ka qenë dhe një person tjetër. Xhovani Mirashi ka dëshmuar në polici momentin e vrasjes së Nardit të bujtinave, dhe se si i ka shpëtuar vetë ai atentatit.
Vrasësi qëlloi Nardin e Bujtinave, i njohur edhe si Ranges, me 18 plumba. Asnjë nuk preku shokun e viktimës i cili ishte në vendin e parë të makinës.
“Kemi të bëjmë me një killer profesionist e gjakftohtë”, thonë hetuesit, të cilët po merren me atentatin e pasdites së të mërkurës. Ngjarja e ndodhur tek kthesa e Grudës në Shkodër, aty ku disa vite më parë u ekzekutuan dy vellezërit Pjetrushi.
Hetuesit siguruan dëshminë e Xhovani Mirashit, pronar i një servisi ku Ferdinand Polia kishte lyer makinën.
“Një motorçikletë TMAX ngjyrë gri, erdhi përballë dhe drejtuesi me skafandër të zezë qëlloi në drejtimin tonë. Jam ulur dhe dëgjova vetëm zhurmën e plumbave që shponin trupin e Nardit”, dëshmoi Mirashi.
Polia dhe Mirashi ishin shokë të hershëm. Shpesh tek Mirashi ai linte makinën për t’i bërë shërbime.
“Nuk kishte probleme, nuk di për ndonjë ngatërresë, apo që të kishte ndonjë konflikt”, ka thënë shoku i tij në polici menjëherë pas ngjarjes.
Të njëjtën gjë thonë edhe në Policinë e Shkodrës. Nuk janë regjistruar konflikte të ekspozuara të viktimës, dhe kjo e ka bërë punën edhe më të vështirë për grupin hetimor. 35-vjeçari, ishte duke shkuar në drejtim të Shkodres kur iu bë atentat, ai ishte babai i një vajze, ndërkohë bashkëshortja e tij ishte shtatzënë, pronar bujtine në Theth por edhe punonjës i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura.
Vrasësi fillimisht ka dalë përpara makinës dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të tij. Makina ka ndaluar disa metra më poshtë, ku vrasësi përsëri u afrua dhe qëlloi mbi viktimën edhe disa herë të tjera.
Autori ka përdorur automatik “Scorpions”. Ekspertët kanë gjetur 20 gëzhoja në vendin e ngjarjes, kurse në trupin e viktimës 18 plumba.
Në kohën kur ka ndodhur vrasja, në vendin e ngjarjes ka patur dëshmitarë, banorë të zonës që ndodheshin nëpër oborret e shtëpive të tyre. Vrasësi ka parë të gjithë banorët, por kjo nuk e ka penguar ta ekzekutojë Rangersin brenda pak minutave.
Gazetar: Simon Shkreli
Operator: Elton Shllaku