Marrë shkas nga ngjarja e fundit që lidhen me atentatin kriminal në Rinas, ku mbeti i vrarë krahu i djathtë i Emiliano Shullazit, Gilmando Dani dhe mbeti i plagosur rëndë agjenti AMP, Muçi Shalianji (Sheqeri, kryeministri Edi Rama në një intervistë ekskluzive për emisionin “Real Story” në ABC News, u pyet nga gazetari Sokol Balla nëse duhet një reformë e thellë për uniformat blu.
Rama u përgjigj se në këtë drejtim është bërë një progres i madh, ndërkohë ajo që mbetet është monitorimi i rrugëve me kamera inteligjente. Kryeministri tha se është gati projekti dhe financimi për monitorimin e rrugëve me kamera inteligjente. Sipas tij nëse rrugëto do monitoroheshin nga këto kamera, keqbërësit, apo vrasësit do ishin identifikuar në kohë reale.
Sokol Balla: Një pyetje të fundit që lidhet me situatën e fundit të krimeve pas asaj ngjarje të rëndë që ndodhi dy ditë më parë, që për fat të keq përforcon idenë se në uniformat blu duhet një reformë e thellë. Ju bëtë një lëvizje revolucionare duke vënë zonjën Koçiu si ministre të punëve të brendshme. Mendoni se duhet bërë diçka më shumë me policinë?
Edi Rama: Jo, unë mendoj që ne kemi bërë progres të madh dhe në atë drejtim, por ajo që na mungon qartësisht në këtë moment është rritja e kapaciteteve për monitorimin dhe për identifikimin e keqbërësve dhe ne praktikisht kemi vënë në vijë këtë proces që është zvarritur disa kohë për arsye burokratike nga ana e Policisë së Shtetit dhe nga ana e Ministrisë së Brendshme që është procesi i transformimit digjital të monitorimit me kamera inteligjente të rrugëve dhe të qyteteve të vendit. Që do të thotë, e thënë në terma konkretë, nëse ne do të kishim këtë sistem në këmbë, vrasësi apo vrasësit sepse nuk e di sesa kanë qenë në Rinas do të ishin identifikuar në kohë reale sepse sistemi nuk i jep mundësinë keqbërësve të ikin në drejtim të paditur ose e bën një mijë herë më të vështirë. Kështu që projekti është gati, financimi është vënë në dispozicion, kompania është një nga më të mirat në botë, sistemi është i sprovuar në Emiratet e Bashkuara me një sukses të jashtëzakonshëm dhe shpresoj që në javët ne vijim të fillojë më në fund puna dhe koha e realizimit dhe të fillimit të vendosjes në punë të sistemit është 12 muaj dhe pastaj do të jemi në një tjetër nivel komplet përsa i përket kapaciteteve për të identifikuar dhe për të reaguar ndaj keqbërësve të çdo lloji.
Sokol Balla: Zoti kryeministër faleminderit që ishit me mua sonte. Ishte kënaqësi t’ju kisha në program, këtu live nga kryeqyteti i Italisë.
Edi Rama: Faleminderit që erdhe në Romë dhe rrugë të mbarë bashkë në Tiranë.
Sokol Balla: Të gjitha rrugët të çojnë në Romë, këtej rrodhën dhe lajmet sot. Qëndron Veliaj, qëndron Balluku. Bashkë shihemi të hënën në ora 20.00./abcnews.al

