Pas zhvillimeve të fundit në Elbasan, ku u krye atentati i radhës ndaj Ardian Çapjas, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka treguar me anë të një videoje ato që ai quan dështime të Ramës.
Me anë të një videoje të shpërndarë në llogarinë e tij në Facebook, Bardhi, rëndit krimet e ndodhura gjatë dy javëve të fundit në vend.
Duke përmendur rastin e 25-vjeçarit që u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në Vlorë e deri tek atentati i kryes së fundmi në Elbasan, në fund të videos theksohet se “një qeveri e ardhur në pushtet me krimin, nuk e lufton dot atë.”
Mesazhi në video:
“Sot krimi kërcënon rendin dhe sigurinë. Vetëm në dy javët e fundit një zinxhir krimesh ekspozon edhe njëherë dështimet e Ramës. Një 25-vjeçar ekzekutohet me breshëri kallashnikovi në Vlorë. Në Laç 2 persona humbën jetën me armë zjarri. Në Tiranë regjistrohet një shpërthim me eksploziv pranë një hoteli. Ekzekutohen në pritë dy vëllezër në Krujë! Vlorë, gjendet një pako me tritol në zonë të banuar. Arrestohet vëllai i kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës për kultivim kanabisi. Në Itali kapet gomonia e nisur nga Shqipëria me 3 milionë euro drogë! Atentat me snajper në qytetin e Elbasanit. Një qeveri e ardhur në pushtet me krimin, nuk e lufton dot atë!” /abcnews.al/

