Atentati ndaj Preng Gjinit, Artan Hoxha: Mina nuk u komandua me celular, autori ishte afër

schedule12:44 - 25 Shtator, 2020

schedule 12:44 - 25 Shtator, 2020

Prokuroria ka një të dyshuar për atentatin me lëndë shpërthyese që iu bë Preng Gjinit, mbrëmjen e 15 shtatorit në Tiranë. Detaje të tjera nga mënyra sesi po shkon hetimi për ngjarjen në fjalë dha gazetari Artan Hoxha në studion e Abc News paraditen e së premtes.

Hoxha u shpreh se hetimet po shkojnë përgjithësisht mirë, por ai theksoi sërish që prokuroi i çështjes është shumë i zoti, por nuk mund ta mbajë gjatë këtë çështje. Kjo pasi ai është me origjinë nga e njëjta zonë me personat e përfshirë në ngjarje, dhe situata mund të kthehet në personale.

Po ashtu, gazetari tregoi se mbeten ende shumë pamje, të marra nga kamerat e sigurisë nga vendi i ngjarjes, për t’u parë me detaje. Megjithatë ai theksoi se Drejtoria e Tiranës ka një specialist shumë të mirë që punon me pamjet e kamerave.

Sa i përket të dyshuarit, për vendosjen e lëndës plasëse, Hoxha tregon:

“Është identifikuar një person që dyshohet të ketë lidhje të me grupin e ekzekutorëve dhe me porositësit…Ekzekutorët nuk kanë lidhje direkt me urdhëruesit. Kanë zgjedhur persona që nuk i njihte. E dinë kush është, është shpallur në kërkim. Nuk e kanë ndaluar por e kanë të qartë kush është. Ka dëshmi që e identifikojnë. Në momentin që kanë qenë afër lokalit, nuk ka folur shqip mirë, ka folur në italisht. Ka lëvizur pak para se objekti të çohet nga tavolina.”

Ndërsa, sa i përket lëndës plasëse të vendosur në automjetin që shpërtheu, gazetari Artan Hoxha thotë se kemi të bëjmë me një “risi”.

Lexo edhe: Zhidru njeri i rrezikshëm, Artan Hoxha zbulon çfarë i shpëtoi jetën efektivëve të RENEA-s

Sipas tij, në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një minë me celular, por një minë të komanduar nga një rreze prej 100-150 metrash distancë.

“Ajo minë, është vendosur, atë ditë. Informacioni dhe mbikëqyrja ka qenë shumë e madhe. Krimi i organizuar është ky, e kanë ditur që lëviz me makinën e nipit kur vjen në Tiranë, rri në krahun e pasagjerit. Hetimet duken pozitive, kanë marrë një drejtim të duhur.

Unë dyshoja që ishte minë me celular, por është një minë e aktivizuar me një pajisje tjetër. Që funksionon deri në 100-150 metra. Ai që ka aktivizuar minën ka qenë aty. Të jep mundësinë që e sheh lëvizjen dhe mban distancë që mos ta pësojë edhe vetë. Minë e përgatitur me një pajisje, të ngjashme me pultin e  makinave. Pra kemi një specialist të ri që ka dalë në qarkullim me këtë lloj aftësie. Nuk është kollaj të montosh minat. Kjo ka bërë që autorët të japin një të dhënë të re për hetimin. Personi ka qenë në perimetër të afërt. Monitoruesit duhet të jenë të kujdesshëm që të zbulojnë detajin mes turmës.”

Artan Hoxha theksoi se fakti që ngjarja ka ndodhur në Tiranë mund të ndihmojë shumë në zbardhjen e ngjarjes, kjo pasi sipas tij, Tirana ka një numër të madh kamerash si dhe specialistët më të mirë. s.b/ abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!