Atentati ndaj Nardit të Bujtinave, të arrestuarit nuk pranojnë të flasin

schedule11:03 - 26 Mars, 2019

schedule 11:03 - 26 Mars, 2019

Policia ka marrë dëshmine e tre të arrestuarve për vrasjen e Nardit të Bujtinave në Shkodër. Njëri nga ata ka treguar se i kishte dhënë makinën vrasësit, por nuk kishte dijeni për qëllimin e tij.

Atentatori disa orë para se të vriste Nardin e Bujtinave mori makinën e Alfred Martinit, njërit nga tre të arrestuarit si bashkëpunëtorë në krim.

20 vjeçari nga Bardhaj e dëshmoi faktin në polici duke mohur se ishte në dijeni të qëllimit të autorit.

Makina u sekuestrua nga hetuesit, por ende nuk është zbuluar për çfarë e përdori autori, pasi kur bëri atentatin ishte me motor.

Në të njëjtën linjë kanë qëndruar dhe dy vëllezërit, Gilbert Toma 26-vjeç e Kleandro Toma 29-vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”. Ata mohuan pjesëmarrjen në vrasje dhe nuk kanë pranuar të flasin asgjë më tepër pa avokat.

Të tre këta persona akuzohen si bashkëpunëtorë të vrasësit të dyshuar, 27 vjeçarit me inicialet K.S, i cili është akoma në arrati.

Policia në njoftimin e saj cilësoi se ata i siguruan armët dhe e strehuan vrasësin pas ngjarjes. Gjatë operacionit u sekuestruan 7 telefona, 17 fishekë të kalibrave të ndryshëm, targa të ndryshme automjetesh shqiptare dhe të huaja dhe dokumente të ndryshme.

Ferdinant Polia u ekzekutua në një pritë tek vendi i quajtur Kthesa e Grudës. Ai mori 18 plumba në trup nga 20 që autori shtiu me automatik scorpions.

Në makinë ndodhej dhe pronari i servisit, shoku i tij, Xhovani Mirashi i cili shpëtoi mrekullisht. Motori i autorit u gjet i shkrumbuar në zonën e Postribës. Hetuesit ende nuk kane bërë publik motivin e vrasjes së Polisë.  /abcnews.al

 

 

/’abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!