Atentati me tritol në Shkodër, Gjykata lë në burg tre bashkëpunëtorët

schedule09:54 - 11 Shkurt, 2018

schedule 09:54 - 11 Shkurt, 2018

Gjykata e Shkodrës la në burg tre personat e arrestuar si autorë e bashkëpunëtorë në atentatin me tritol në 13 Janar të këtij viti, ku tetë persona u plagosën në lagjen “Rus”. Ata jane Endri Çopja, Argel Lulaj dhe Serxho Teta, të cilet u kapën në Elbasan gjatë një operacioni në të cilin morën pjesë Prokurori e polici.

Argel Lulaj tha se ishte hera e parë që ndodhej në Shkodër, perveçse, kur e sollën për në sallën e gjyqit.

Këtu, ai u shpall atentatori i dyshuar i 13 Janarit, që si pasojë e shpërthimit me tritol në lagjen “Rus” u plagosën tetë vetë.

Shoku i tij, Endri Çopja, gjithashtu pretendoi të njëjtën gjë, por akuzohet si bashkëpunëtori i ngushtë i Lulajt. Kurse, Serxho Teta ndodhet nën pranga për moskallëzim krimi.

Per të tre këta te rinj që u arrestuan në Elbasan gjate operacionit “ Together”, Gjykata e Shkodrës vendosi masën e sigurisë arrest me burg.

Prokurori i çështjes, Albert Murçaj, pretendoi se ka filmime dhe prova të tjera, të cilat tregojnë veprimet e atentatorëve ndaj Lulëzim Kullës.

Sipas akuzës, ata nga Elbasani në Shkoder erdhën me një makinë tip furgon.

Prej aty zbritën motorin, të cilin e parkuan pranë makinës së Kullës. Shpërthimi u bë me telekomandë dhe supozohet se u përdorën 900 gramë tritol.

Nuk jemi ne ata që vendosën tritolin, kanë këmbëngulur në sallën e gjyqit. Pas kësaj deklarate, mbrojtja e përfaqësuar nga Genc Gjokutaj kërkoi masë më të lehtë deri ne mbylljen e hetimit.

Por gjykatësi Hasan Selimi nuk mori parasysh asnjë kërkesë, pervecse i besoi Prokurorisë, e cila pretendon se autorët janë identifikuar përmes pamjeve filmike ditën e ngjarjes e po ashtu janë vënë në përgjim./abcnews.al