Atentati i dështuar ndaj biznesmenit, Hoxha nxjerr pamjet: Ekzekutuesi në skenën e krimit

schedule13:12 - 18 Janar, 2021

schedule 13:12 - 18 Janar, 2021

Gazetari Artan Hoxha sot në studion e “ABC” publikoi pamjet e atentatit të dështuar në 18 tetor të vitit 2019, ndaj biznesmenit me iniciale A.B. Ngjarja ka ndodhur tek zona e njohur si ish-“Frigoriferi”, në kryeqytet. Pamjet e publikuara në ABC nga Hoxha tregojnë edhe dinamikën e ngjarjes të cilën ai e përshkruan me detaje përballë gazetares Juli Xhokaxhi.

“Kemi të bëjmë me atentat me minë të telekomanduar në mes të Tiranës. Shpërthimi ka ndodhur në një moment ku edhe ka pasur njerëz. Automjeti ishte një tip “Audi”, eksplozivi ishte i vendosur poshtë dhe ishte i komanduar.

Lexo edhe: Artan Hoxha publikon pamjet, ky është autori i dyshuar i atentatit ndaj Preng Gjinit

Ekzekutori është në skenën e krimit dhe ka pamje vizive të atentatit. Në video duket momenti kur biznesmeni ka aktivizuar makinën dhe ende pa hipur në të ka ndodhur shpërthimi pa hipur në makinë.

Një person, ndalon shikon grumbullin e njerëzve, sheh nëse e ka goditur apo jo objektivin dhe ecën duke shkuar pas një kabinë elektrike duke u fshehur. Ky personazh ende nuk është identifikuar edhe pse janë tashmë disa të dhëna.

Dyshohet një grup me pagesë, një pjesëtar i së cilës dyshohet se është nga periferia e Tiranës. Pra edhe në atentatin e Preng Gjinit edhe në atentatin e biznesmenit, duket si skenë filmi , por në të dyja rastet kamerat e sigurisë na ofrojnë dinamikën se si ka ndodhur ngjarja dhe shihet se pavarësisht kësaj autoritetet e kanë të vështirë për të kapur ekzekutorin”, tha Hoxha.

Gjatë bisedës në studio gazetari shpjegoi edhe atentatit ndaj Preng Gjinit, ndërsa u shpreh se për shkak të dinamikës duket sikur këto dy atentate vijnë nga i njëjti grup.

Por gjithashtu ai theksoi se pavarësisht kësaj shtoi se nuk dyshon që këto dy atentate të jenë realizuar nga i njëjti grup.

Teksa i rikthehet dinamikës së ngjarjes gazetari shton se mbetet shqetësues fakti që atentatet kanë ndodhur në mes të Tiranës, ekzekutorët mbikëqyrin vendin e ngjarjes të pashqetësuar dhe më problematikë është fakti se ende pas një kohe të gjatë nuk janë arrestuar.

“Unë nuk besoj se është i njëjti grup edhe pse mënyra se si është bërë duket se ngjajnë. Fakti që qëndron në skenën e krimit dhe kërkon të kuptojë se si është situata. Po ta vërejmë mirë shihet se ai është kthyer sërish në skenën e krimit për të parë situatën. Autorët nuk janë shumë larg ndaj dhe duhet të ketë organizime.

Kemi dy raste konkrete dhe ekzekutori është aty. Si është e mundur që edhe me kamera sigurie këta lloj vrasësish qëndrojnë aty pa asnjë lloj shqetësimi? Këta persona përbëjnë rrezik për rëndin dhe sigurinë në vend”, shtoi më tej Hoxha.

/abcnews.al/