Dy vëllezër kanë rënë pre e një atentati mbrëmjen e sotme në Tepelenë. Artur Bresha 47 vjeç është ekzekutuar gjatë kohës që ishte në punë, ndërsa më pas autorët kanë plagosur vëllanë e tij Artanin, pranë banesës.
Nuk dihen motivet dhe as autorët e kësaj ngjarjeje, ndërsa mësohet se i plagosuri është person me precedentë penalë në fushën e narkotikëve.
Një atentat me armë zjarri në Tepelenë, i ka marrë jetën një 47-vjeçari ndërsa është plagosur vëllai i tij 43 vjeç. ABC News mëson se Artur Bresha është qëlluar për vdekje teksa ishte në punë, si roje në kantierin e Bypass-it të Tepelenës. Pas ekzekutimit, autorët e dyshuar mësohet se i kanë marrë makinën viktimës dhe janë drejtuar për në shtëpinë e vëllait të tij Artan Bresha.
Ata e kanë pikasur 43-vjeçarin rrugës për në shtëpi dhe e kanë plagosur. Sipas policisë, i plagosuri ka marrë një plumb në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në ndihmë të Grupit të posaçëm hetimor janë nisur menjëherë edhe një grup specialistësh të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.
Në akset rrugore nacionale dhe ato rurale që lidhen ne qytetin e Tepelenës Policia ka ngritur menjëherë pika kontrolli Forca të shumta të Policisë Tepelenë dhe Gjirokastër po bëjnë krehjen e zonës me qëllim kapjen e autorëve të dyshuar.
Artan Bresha nuk është një emër i panjohur për Policinë. Ai është arrestuar 8 vite më parë me 1 ton marijuanë, që do ta dërgonte jashtë vendit.
Në njoftimin e atëhershëm të policisë thuhej se droga do të dërgohej drejt Greqisë, ndërsa pas ndalimit të Breshës për këtë ngjarje u shpallën në kërkim tre persona të tjerë./abcnews.al