Atalanta e shqiptarëve synon Kupën e Italisë

schedule11:16 - 31 Janar, 2019

schedule 11:16 - 31 Janar, 2019

Etrit Berisha dhe Berat Gjimshiti shpresojnë të fitojnë Kupën e Italisë, pas fitores së madhe ndaj Juventusit. Ekipi i shqiptarëve ia doli të ndalonte Kristiano Ronaldon

Mund të jetë një “makinë e pandalshme”, por ndodh që të ketë edhe defekte. Përkundër një sezoni të shkëlqyer në Serinë A, dhe prezencës së jashtëzakonshme të Ronaldos, Juventusi gjeti përballë këtë mesjavë, një kundërshtar që “ia mori dorën”, një rival në radhët e të cilit ishin edhe dy shqiptarë.

Në Kupën e Italisë, ekzekutuesi me shifrat 3-0 nuk ishte as Interi, Napoli, Milani, Roma apo Lacio, por Atalanta, që pati në portë Etrit Berishën dhe mbrojtësin Berat Gjimshiti. Ekipi i qytetit të Bergamos, me vetëm 120 000 banorë, ka shans tani të pretendojë Kupën, trofeun që e ka bërë të vetin vetëm një herë në 1963.

Berisha dhe Gjimshiti ia dolën ta ruanin rrjetën të paprekur, duke pasur përballë lojtarë të tillë si Kristiano Ronaldon, Dibalën apo Dagllas Kostën.

“Arritëm të luanim shumë mirë, – u shpreh Gjimshiti pas ndeshjes, – besoj se mund ta fitojmë kupën. Nuk ishte e lehtë ndaj Juventusit, por kemi treguar se dimë të përballemi edhe me skuadrat më të forta”.

Duvan Zapata mendoi për të shënuar dy gola, dhe Timoti Kastanje një tjetër rrjetë. “Ishim superiorë, – u shpreh trajneri bergamask, Gasperini, – ndodhi diçka e jashtëzakonshme, më mirë se kaq nuk mund të luhet. Gjithsesi, ne gjithnjë kemi sulmuar, e kemi ditur se me Juven do të ishte vetëvrasje nëse thjesht do të mbroheshim”.

Juventusi ngriti “flamurin e bardhë”, edhe pse Alegri u përpoq të mbante lart optimizmin duke thënë se “do të jemi më të lirshëm për Championsin”.

E vërteta është se skuadra e tij luajti dobët, siç kishte ndodhur edhe herë të tjera, por gjithçka ishte mbuluar falë rezultatit.

“Zapata shkatërron Juven”, është titulli i bujshëm i “La Gazeta delo Sportit”, që vazhdon me vlerësimet “super Atalanta, Alegri pëson humbjen e parë italiane”.

“Dinë të humbasin”, është komenti i “Il Korriere delo Sportit”, me Ronaldon në gjunjë në foton kryesore, që thekson se Juvja u eleminua nga kupa që e fitonte prej 4 vitesh radhazi.

“Tutosporti” i Torinos luan me fjalët: “DEA tronditëse, katastrofë e Juves, Atalantë shkatërruese në Kupën e Italisë, me dygolëshin e të papërmbajtshmit Zapata”.

Zapata ka tani 20 gola këtë sezon, më shumë sesa Kristiano, e do të përpiqet të shënojë përsëri në gjysmëfinale, në sfidën ndaj Fiorentinës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!